Bardh Spahia firmosi shkarkimin e tij si administrator i Postribës, Shabaj: Shihemi në zgjedhjet e tjera
Kreu i ri i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ka bërë lëvizjet e para në administratën në varësi, duke firmosur lirimin nga detyra të Altin Shabaj, me detyrë administrator në Postribë dhe Gjovalin Ndragjati, administrator në njësinë administrative në Dajç.
Vendimi është marrë të mërkurën.
Administratori i Postribës në një prononcim për mediat thotë se njotimin për shkarkimin nga detyra e ka marrë nga shoferi i dërguar nga Spahia.
Duke e parë të lidhur me faktin se si ai dhe Ndragjati kanë mbështetur kandidatin e Bashës, Xhemal Bushati, në zgjedhje, Shabaj thotë se vendimi ishte i pritshëm por do të kishte qenë më e udhës nëse do tu ishte komunikuar direkt nga qyteti i parë i Shkodrës.
“Kjo nuk i shërben bashkimit por përçarjes së PD-së. Bardh Spahia është njeriu që në vazhdimësi ka përçarë PD dhe unë e kam thënë edhe më herët. Sa i përket shkarkimit, është bërë në mesnatë në zyrat e bashkisë, ngjashëm si dikur celulat komuniste. Kam qenë dhe do të vazhdoj të kontribuoj për PD. Edhe në 6 mars mbështeta PD dhe kandidatin Bushati, prandaj edhe është marrë ky vendim. Koha do ta tregojë se kush ka patur të drejtë. Me vjen mirë që ishim unë dhe Darragjati të parët që po largohemi edhe pse jemi dy njësitë përherë fituese të PD. Do të shihemi në zgjedhjet e tjera” thotë ai duke paralajmëruar se do të ndjekë hapat ligjorë mbi këtë vendim.