U bllokoi llogaritë bankare familjarëve të kreditorit që ndërroi jetë, arrestohet përmbaruesi, dy kolegë të tij në hetim
Policia e Tiranës ka arrestuar për herë të dytë përmbaruesin privat, Fatos Alimadhi. Kësaj here ai akuzohet për bllokimin e parregullt të llogarive të një kredimarrësi pas vdekjes, ndërkohë që në vitin 2018 ai ishte akuzuar për përfitimin e 32 mijë eurove nga një klient tjetër.
Përmbaruesi privat, Fatos Alimadhi, është arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi i ka bllokuar paratë në bankë një klienti pasi kishte ndërruar jetë.
Burimet zyrtare thanë se gjatë operacionit të koduar me emrin “Acount” është vënë në pranga 54-vjeçari, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale shpërdorim detyre.
Konkretisht, Fatos Alimadhi dyshohet se ka abuzuar në rastin e një klienti të tij që kishte marrë kredi në emër të një subjekti, dhe pas disa kohësh ka ndërruar jetë.
Pavarësisht se kredinë ka vazhduar ta mbulojë sigurimi i jetës së qytetarit pas vdekjes, përmbaruesi privat Fatos Alimadhi i bllokonte llogaritë familjarëve të të ndjerit pa i lajmëruar ata.
Konkretisht policia tha se përmbaruesi ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse.
Pasi janë vënë në dijeni të këtyre fakteve, të afërmit e personit që kishte ndërruar jetë kanë bërë padi në polici ndaj përmbaruesit, duke kërkuar hetimin e tij.
Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe dy kolegë të Alimadhit me iniciale S. D., dhe P. Q., të akuzuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Në vitin 2018 përmbaresi privat Fatos Alimadhi është arrestuar edhe njëherë tjetër për vjedhjen e 32 mijë eurove të një klienti të tij.
Konkretisht në atë vit, përmbaruesi kishte kryer shitjen në ankand të një apartamenti të bllokuar për shkak të mos-shlyerjes së kredisë.
Vlera me të cilën është shitur prona sipas policisë, ka sjellë një përfitim prej 32 mijë eurosh për përmbaruesin, i cili është proceduar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
