Tjetër falsifikim me incineratorët, Tabaku: Qeveria deklaroi emergjencën mjedisore pa pasur asnjë vendim
Marrëveshjet për tre koncesionet e mbetjeve po zbulojnë gjithnjë e më shumë shkelje. Jorida Tabaku shpreh dyshime se dhe vendimi për shpalljen e emergjencës mjedisore nuk ekziston edhe pse qeveria ka pretenduar se ësHtë marrë. Këtë ajo e argumenton me vetë përgjigjen e institucioneve.
Emergjenca mjedisore për mbetjet ka qenë një nga pikat e mbrojtjes së mazhorancës për tre incineratorët që tashmë edhe sipas spak rezultojnë me shkelje.
Por duket se vetë Ministria e Mjedisit nuk ka pasur asnjë dijeni për gjendjen e jashtëzakonshme.
Këtë e zbulon deputetja, Jorida Tabaku, e cila shprehet se ka kërkuar zyrtarisht vendimin e qeverisë, por një akt i tillë është mohuar.
“Pikërisht për këtë vendim të marrë në shkurt 2014 i bëra një kërkesë zyrtare si deputete Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Mirëpo çuditërisht në përgjigjen e saj Ministria shprehet se një vendim i tillë i kësaj date nuk ekziston në protokollin e ministrisë.”
Në fakt në profilin e saj në facebook, Tabaku ka publikuar dy dokumente.
Një i përket datës 5 shkurt i vitit 2014 ku me firmën e tre anëtarëve të komisionit kërkohet nisja e emergjencës mjedisore dhe marrja e masave për përmirësimin e situatës.
Por bashkëngjitur saj është dhe një përgjigje zyrtare po nga Ministria e Mjedisit, ku thuhet se nuk ka një vendim të tillë dhe madje as procesverbal dhe relacion shpjegues i këtij vendimi.
Për këtë shkak Tabaku shprehet se kjo do të thotë që 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve janë dhënë me një vendim që nuk ekziston.
Sipas saj është jetike për SPAK që të bashkojë të 3 çështjet në 1 të vetme, që të nisë një hetim të thelluar pasuror për çdo individ të përfshirë në vjedhjen e shekullit.

