Ish-ministri Lefter Koka dëshmon në SPAK: Nuk kam shkelur ligjin, akuzat politike

Prokuroria e Posaçme mori në pyetje për rreth katër orë ish- ministrin Lefter Koka, i cili ka dhënë shpjegime për abuzimet e inceneratorit të Fierit. Ish-zyrtari i lartë ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje me procedurat e ndjekura, madje ka pretenduar se akuzat ndaj tij janë politike.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme për rreth 4 orë lidhur me inceneratorin e Fierit, ku akuzohet se ka përfituar 1.2 mln euro.

Ish-zyrtari i lartë ka mohuar çdo akuzë, madje i ka cilësuar ato të sajuara politikisht.

Koka u pyet nga prokurori Dritan Prençi, i cili po heton aferat me këtë incinerator, ku tha se nuk ka asnjë lidhje me këto abuzime dhe si ish-ministër ai ka zbatuar të gjitha procedurat dhe se nuk ka përfituar asgjë nga shoqëritë e incineratorit të Fierit pasi nuk i njeh.

Lidhur me procedurat për shpronësimin nga ‘tokë arë’ në ‘tokë truall’, ish-ministri është shprehur se prona nuk është trajtuar kurrë si truall, por si tokë arë e shpronësuar dhe për këtë është ngritur një komision.

Një nga pyetjet e prokurorëve lidhej me procedurën e tenderit të incineratorit të Fierit se pse nuk ishte bërë ndërkombëtare, por për ish-ministrin ligji ynë nuk e parashikon një gjë të tillë.

Ish-ministri Lefter Koka akuzohet nga SPAK se ka përfituar rreth 5 mln euro nga incineratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Ndaj tij jane ngritur akuzat për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Një ditë me parë dha dëshminë e tij ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, i cili mohoi që të ketë rol vendimmarrës te incineratorët, duke deklaruar se detyra e tij ka qenë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.