“Bashkimi i PD-së është larg”, Baçi: Berisha e ka të vështirë të mbledhë djajt që ka nxjerrë nga kutia e pandorës

Analisti dhe publicisti Agim Baçi, ka komentuar  përçarjen brenda PD-së.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja, ai tha se palët janë larg bashkimit  pasi sipas tij nuk janë të sinqertë në qëllimin e tyre.

Ndër të tjera ai u shpreh se nëse Sali Berisha do të kishte bindjen se ka shumicën e grupi parlamentar do të kishte hedhur në votëbesim Enkelejd Alibeajn, ndërsa shtoi se ish-kryeministri e di që këtë shumicë nuk e ka me vete.

Agim Baçi: Berisha është ai që e ka rrokur pasojën e  gjuhës së ashpër, gjuhës së urrejtjes që e ka përdorur që pas 9 shtatorit dhe sot e ka të vështirë të mbledhë djajt që ka nxjerrë nga kutia e pandorës. Berisha pardje iu kthye të së njëjtës gjuhë që e kishte lënë  2-3 javë në heshtje. Palët janë larg bashkimit sepse nuk janë të sinqertë në atë që kërkohet.

Berisha po të kishte bindjen se ka shumicën e grupit parlamentar, do të kishte hedhur në votëbesim Enkeljed Alibeaj. Por si një politikan i zgjuar që është e di se nuk e ka shumicën në grupin parlamentar.

Ndër të tjera Baçi u shpreh se gjuha që po përdoret nga të dyja palët nuk do i ofrojë drejt bashkimit.

Agim Baçi: Ai mendon që më 11 dhjetor ka rrëzuar çdo institucion të mundshëm që ka qenë në PD, megjithatë e gjeti këtë si zgjidhje. Mendoj se gjuha që po përdoret nuk i afron palët në PD. Ai që të shtron dorën për pajtim nuk të vë kushte dhe nuk tregon superioritet. Ne kemi sot ekstreme brenda PD që i shikojë larg bashkimit.

Ndër të tjera ai tha se Lulzim Basha e ka përdorur PD në shërbim të Sali Berishës

Agim Baçi: Basha ka qenë berishzimi më i madh. Basha e përdori PD në shërbim të Sali Berishës. Ky ishte gabimi më i madh i tij. Opozita e sotme nuk e kërcënon dot Ramën.