Rikthehet historia e muzikës shqiptare
Vakanca prej 40 vitesh e një historie të plotë të muzikës shqiptare angazhoi profesorin Nestor Kraja të shkruajë një studim shkencor në këtë drejtim.
Duke qenë një nga instrumentet e regjimit komunist kënga vishej me petka politike dhe sipas Krajës pasqyrimi i saj real në këtë periudhë e më vonë ishte një domosdoshmëri.
"Kjo mungesë kishte filluar të rëndohej në mendjen tonë. Ka pasur trajtime politike të shumta, ujëra të cilat duhet të hiqeshin. Gjërat duhet të trajtoheshin direkt ashtu siç ishin në të vërtetë, pa asnjë lloj trajtimi politik", tha ai.
Kryesisht një histori e cila i vjen në ndihmë vetë studentëve për të njohur të shkuarën e për të ndërtuar një muzikë më të mirë në të ardhmen.
"Brezat e rinj të instrumentistëve duhet të jenë të ndërgjegjshëm se çfarë vlere ka pasur historia e muzikës shqiptare dhe të mundohen ta shtyjnë atë më përpara", tha profesori.
Profesori dhe kompozitori Aulon Naçi shprehu gjithashtu nevojën e botimit të këtij shkrimi.
"Pavarësisht se ku kemi studiuar dhe jemi brumosur të gjithë ne i përkasim një populli dhe një kulture të caktuar."
Hedhja e këtij guri në themelet e historisë së muzikës shqipe sipas vetë autorit i hap rrugë shtegut të pasurimit të saj.
