Legalizimi i kanabisit mjekësor, ish-drejtuesit e policisë skeptikë: Të verifikohen personat që licencohen
Nisma e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore shihet me shqetësim nga ish-drejtuesit e policisë. Arben Hajdarmataj thotë se ky vendim mund të keqpërdoret nga grupet kriminale. Sipas tij, legalizimi i kanabisit mund të ketë pasoja ndërkombëtare për Shqipërinë, e cila prej vitesh konsiderohet vendburim për lëndën narkotike që trafikohet në vendet fqinje dhe të BE-së.
Ish-drejtues të policisë e shohin me skepticizëm vendimin e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Arben Hajdarmataj thotë se një vendim i tillë favorizon grupet kriminale.
"Një vendim i një qeverie që nuk realizon dot ose do thosha është (jo e gjitha) por ka pjesë të elementeve kriminale që janë të lidhur me strukturat e qeverisë për sa i përket trafikimit të drogave dhe do që në njëfarë mase të legalizohet veprimtaria", tha Hajdarmataj.
Ish-drejtuesi i policisë vlerëson se dhënia e licencave për një aktivitet delikat si kultivimi dhe përpunimi i kanabisit duhet të jetë e kujdesshme për të shmangur pastrimin e parave.
"Është edhe çështja e pastrimit të parave sepse ne shpesh e përmendin që grupet kriminale pastrojnë para në Shqipëri", tha ai.
Hajdarmataj mendon se vendimi i qeverisë mund të ndikojë negativisht në aspektin ndërkombëtar pasi Shqipëria prej vitesh është renditur në vendet e para të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
"Duke u bazuar gjoja në ligjërimin e legalizimit të hashashit për mjekësi do shtohen aktivitete kriminale dhe në pjesë të tjera të shoqërisë. Fatkeqësisht ne jemi vend i prodhimit, kultivimit dhe eksportimit të hashashit", përfundoi Hajdarmataj.
Kryeministri Edi Rama prezantoi javën e kaluar rezultatet e formularit të Këshillimit Kombëtar, ku 61% e të qytetarëve që kishin marrë pjesë në votim ishin pro legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Kjo nismë është kundërshtuar edhe nga ekspertët e ekonomisë për faktin se nuk ka përfitim dhe mund të dëmtojë sektorin bujqësor.
