Tiranë, shiste kanabis në Yzberisht, prangohet 37-vjeçari, procedohet 28-vjeçari

Finalizohet operacioni policor i koduar "Afternoon", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Në këtë operacion është sekuestruar një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.

Policia ka vënë në pranga poseduesin e saj, ndërsa procedohet penalisht një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Afternoon", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: S. D., 37 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u procedua penalisht shtetasi S. Gj., 28 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Shtetasi S. D.,  pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shiste atë në doza të vogla, në zonën e Yzberishtit. Në rrugën "Kadri Roshi", shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin S. D., dhe shtetasin S. Gj. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit S. D., iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje.” – bën me dije policia.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit S. D., si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.