Rihetim dosjes së ish-gjyqtarit të Kushtetueses, SPAK nuk e bind gjykatën për Fatos Lulon
Gjykata e Posaçme ka refuzuar hapjen e gjykimit, duke kthyer edhe një herë në SPAK dosjen për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i akuzuar për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Sipas GJKKO, materiali i prokurorisë është i pamjaftueshem për gjykimin e Lulos, çka e bën të nevojshme kryerjen e hetimeve shtesë.
Gjykata e Posaçme i ka kthyer mbrapsht Prokurorisë për plotësime dosjen ndaj ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.
Ashtu siç ka ndodhur edhe me dosjen e Bashkim Dedjas, ish- kryetari i Kushtetueses, ku Gjykata e Posaçme nuk e kaloi çështjen në gjykim për dy akuzat, mosdeklarim dhe fshehje pasurie.
Edhe në rastin e Lulos, GJKKO nuk u bind nga materialet e administruara në fashikullin e prokurorisë, duke i kërkuar të kryejë edhe disa verifikime shtesë dhe për këtë arsye i ka dhënë edhe një muaj e gjysmë kohë organit të akuzës.
Në listën e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët u kallëzuan për pasurine pas largimit nga detyra si pasojë e vettingut, SPAK ka kërkuar në gjykatë pushimin e çështjes për Aleksandër Muskajn, Artan Zenelin, Besnik Imerajn, Edmond Islamajn, Gani Dizdarin, Tom Ndrecën dhe Xhezahir Zaganjorin.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për ish-gjyqtarët Bashkim Dedja, Shkelzen Selimin, Admir Thanzen, Fatos Lulon dhe Guxim Zenelaj.
Po pavarësisht kërkesës së SPAK për gjykimin e dy prej tyre, Bashkim Dedjas dhe Fatos Lulos, Gjykata po vonon vendimmarrjen, duke kërkuar kryerjen e verifikimeve shtesë para shqyrtimit të dosjeve.
Krahas hetimit për çështjen e veprave penale të dyshuara, ish-gjyqtarëve u ështe sekuestruar edhe pasuria që pretendohet se e kanë krijuar me burime të pajustifikuara.

