Denoncimi: "Inspektorët e IKMT derë më derë: Shembni vetë shtëpitë ose 20 mln lekë gjobë!"
Banorët e Laprakës në Tiranë janë rikthyer sërish pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Këtë radhë shkak janë bërë kërkesat për shembjen e objekteve, që sipas familjarëve janë bërë nga inspektorë por pa autorizimin përkatës.
"E fshehin makinën me një cep, lëvizin në këmbë dhe ju thonë njerëzve shembeni banesën vet se do të hani 20 milionë lekë gjobë. Të gjithë inspektorët e IKMT vijnë aty, do ndalen, do të kallëzohen në polici për shkelje të ligjit, për shpërdorim detyre dhe për terrorizim të popullatës. Shkojnë derë më derë dhe ju thonë shembeni vet banesat se kompania nuk ka lekë ti shembë, se është shtrenjtuar hekuri".
Banorët shprehen se nga Ministria nuk ka ende një projekt, ndaj kërkesa për shembje është e paligjshme.
"ARRSH nuk i ka dhënë udhëzim për lirimin e terrenit. Bashkia e Tiranës nuk e ka dhënë leje për lirimin e terrenit, IKMT vepron në terren në shkelje të ligjeve".
Para IKMT nuk munguan as akuzat se banorëve u kanë ardhur mesazhe kërcënuese.
"Mua mos të më vijnë tek shtëpia që të më bëjnë presion se të fus 20 milionë lekë gjobë ose me ardhur me prish shtëpinë pa marrë dëmshpërblimin ".
Familjet në Laprakë prej disa muajsh kanë kërkuar të dhëna të qarta për projektin e bashkisë së Tiranës, por veç paralajmërimeve për shembje ende nuk ka të dhëna të qarta.
