Burra që vrasin gra, parandalimi nis që te mënyra si rrisim dhe edukojmë djemtë

Në Shqipëri vështirë se parandalohen tragjeditë në familje, e sipas psikologëve shkaqet pse burrat vrasin gratë janë komplekse. Veç aspektit ekonomik apo mentalitetit, thelbësor është dhe imitimi i bijve ndaj etërve. Nëse këta të fundit janë brutal ashtu do jenë dhe djemtë që rrisim.

Merushe Hazizi ishte fatkeqja e radhës. Vdiq nga duart e një burri që nuk e pa të denjë si nuse të djalit.
Në më pak se katër muaj ajo është gruaja e gjashtë që mbetet viktimë e dhunës së meshkujve.

Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë psikologët shkaqet i shohin komplekse.Nisin me mënyrën se si i rrisim e edukojmë djemtë.

"Për fat të keq djemtë ose burrat janë ata të cilëve u lejohet të kenë më shumë forcë dhe dominim te gjinia femërore, vajzat dhe gratë."
 
Eneida Frashëri, psikologe, thotë se mentaliteti i shoqërisë por edhe roli dominues i prindërve në jetën e fëmijëve të tyre janë të tjera arsye.

"Prindërit do të duhet të mësojnë se ka një kufi mes tyre dhe fëmijëve. Roli i prindërve është për të parë, dëgjuar dhe mbështetur fëmijët. Por nuk mund të marrin asnjëherë vendime për jetën e tyre në momentin që ata janë të rritur."

Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive.

"Nuk shikoj asnjë lloj nisme që mund të merret institucionalisht për të na bërë ne të ndihemi më të sigurta. Por edhe në shoqëri dhuna është normalizuar,  këto ngjarje janë bërë aq të shpeshta sa nuk trondisin më si dikur. Jemi në situatën kur edhe një vrasje do kalojë, edhe një tjetër do kalojë. Do jemi duke bërë thjesht statistika."

Entenela Ndrevataj propozon shtimin e institucioneve që në fokus kanë kujdesin dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës.

"Gratë shpesh herë nuk kanë ku të drejtohen, kemi vetëm një strehëz kombëtare për gratë e dhunuara që ka vetëm 30 vende. Imagjino në gjithë Shqipërinë të kemi vetëm 30 vende për gratë që ndodhen në situatë dhune."

Çdo vit Shqipëria shënon statisika shqetësuese të grave të vrara dhe te dhunuara.

Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre.