Kapet në Qafë Thanë turku me 4 klandestinë në kamion, kishin paguar nga 4000 euro për tu futur në BE

Policia Kufitare e Qafë Thanës godet një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Një shtetas turk u kap duke hyrë në territorin e Shqipërisë me 4 emigrantë të paligjshëm në kamion.

"Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë dhe në skaner, mjetin tip kamion të markës “Daf”, me drejtues shtetasin Metin Turan 49 vjeç, banues në Stamboll, Turqi. Në pjesën e brendshme të trailerit të kamionit, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm" thotë policia.

Sipas bluve, 49-vjeçari iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shpërblimit 4000 euro personi.

Veprimet e mëtejshme u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Metin Turan për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.