Protestë para IKMT/Banorët e Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit: Inspektorët po terrorizojnë popullatën
Banorët e Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe u mblodhën sot para zyrave të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të kërkuar informacion.
"Këta kërkojnë vetëm gjakderdhje se shtëpia mbrohet me diçka. Unë do vdes aty te prona ime. Le të vijë gazi lotsjellës. Mos të vijnë të më bëjnë presion në shtëpi, prishe ose 20 mln lekë gjobë. Kam 17 vite në proces legalizimi. Deri sot jemi treguar shumë të qetë".
Ata vazhdimisht kanë protestuar pasi kanë marrë disa herë shkresa nga IKMT për të liruar banesat apo bizneset e tyre ose do të gjobiten me 20 milion lekë.
Një përfaqësi prej tre personash u thirrën brenda nga drejtuesja për marrëdhënien me publikun në IKMT.
"Drejtuam shqetësimin tonë dhe na tha se do ja adresojmë problematikën titullarit. Urojmë të mos gënjejnë, mund të harrojnë të vijnë. Kjo që po ndodh është në shkelje të ligjit. ARRSH dhe bashkia e Tiranës nuk kanë dhënë udhëzim për lirimin e terrenit. Çdo inspektor i IKMT që vjen aty do të kallëzohet në poici për shkelje të ligjit, shpërdorim detyre dhe terrorizim të popullatës. Shkojnë derë më derë dhe u thonë banorëve shembni vetë banesën ose do merrni gjobë 20 milion lekë për ndërtim pa leje në 2008."
Më pas ata u pritën në një takim nga zëvendëskryeinspektori i IKMT-së, Guri Seferi, nga ku morën këtë garanci.
"Morëm garanci se nuk do ketë më inspektorë në terren.Herën tjetër që do të vijnë do të vijnë me lajmërime dhe afate kohore për të liruar ambjentet Urojmë që kjo garanci të jetë e plotë dhe të mos përballemi më me kërcënime të tipit mafioz: Shembe shtëpinë vetë ose do të hash gjobë!"

