Hileja me mostrat në tendera, APP: Të kërkohen për vlerësimin e aspektit teknik të ofertës
Kritereve që kufizojnë pjesëmarrjen në tendera u janë shtuar edhe mostrat e kërkuara prej pjesëmarrësve. Është APP që u tërheq vëmendjen bashkive dhe ministrive që provat ti kërkojnë vetëm kur janë të rëndësishme.
Agjencia e Prokurimit Publik tërheq vëmendjen për kritere të tjera të përdorura që kufizojnë konkurrencën. Në udhëzimin e fundit këshillohet që për subjektet pjesëmarrëse në tendera mostra të mallit të kërkohen vetëm kur është e rëndësishme për vlerësimin e aspektit teknik të ofertës.
Sipas udhëzimit të mëparshëm autoritetet mund të kërkojnë për të plotësuar kërkesat minimale në tender.
Sipas APP, paraqitja e mostrave i shërben autoritetit kontraktor për të gjykuar më mirë mbi përmbushjen e specifikimeve teknike të objekteve të prokurimit.
Për çdo rast APP thekson se duhet të mbahet procesverbal ku të dokumentohen dhe detajet që përshkruajnë mallrat e marra në dorëzim.
Ndërkohë në rastin kur në një tender ka ankimime nga operatorët për kriteret dhe në fund është vendosur që të mos ketë modifikime, autoriteti kontraktor do të vijojë me hapjen e ofertave duke i dhënë mundësinë bizneseve të dorëzojnë mostrat e kërkuara.
Gjithashtu, APP sqaron se në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël nuk duhet të kërkohet paraqitja e mostrave apo dokumentave të tjera përpara hapjes së ofertave.

