Bordi i Transparencës shkakton debate në Komisionin e Ligjeve

Miratohet mes debatesh edhe formalisht ngritja e Bordit të Transparencës për caktimin e çmimeve të karburantit.

Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e qeverisë kanë argumentuar dhe skemën përmes të cilës përcaktohet çmimi, por po ashtu edhe peshën që zënë taksat.

“Barra fiskale është akciza 38 lekë/litri, taksa qarkullimit 27 lekë/litri, taksa e karbonit 3 lekë/litri, taksat e markimit dhe skanimit 1 lekë litri dhe TVSH-ja që arrin në 33 lekë/litri. Rreth 45% e çmimit të karburantit është barrë fiskale në këto kushte të çmimeve të rritura. Ndërsa me çmimet e mëparshme barra fiskale arrinte në 60% për litër karburant."

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj akuzoi qeverinë se ka kthyer ekonominë në kohën e komunizmit pasi sipas tij është shteti ai që përcakton çmimet.

“Shteti përcakton çmimet në treg. Si në kohen e komunizmit. Çmimet fikse dhe asgjë tjetër, ndërkohë që nëse ka një meritë është ndryshimi i sistemit në këtë vend."

Ndër të tjera ai tha se liria e veprimtarisë ekonomike mund të kufizohet me ligj vetëm për arsye të rëndësishme publike dhe kërkoi nga përfaqësuesi i qeverisë të rendisë se cilat ishin këto arsye.

Në përgjigjen e tij, zëvendës ministri Ilir Bejtja evidentoi 4 arsyet.

“Siguria e furnizimit të tregut, e cila njohu mungesa të furnizimit me karburant nga kompanitë kryesore që furnizojnë tregun. U reduktuan importet me 60%. Ndikimi që pati ky impuls i lartë i rritjes së çmimeve. Kishte dyshime qe kishte abuzime me vendosjen e çmimeve. Elementi i fundit, cenimi i rezervës së sigurisë. Nuk ishim të sigurt nëse të gjithë bizneset e kanë përdorur apo jo rezervën e sigurisë.”

Për shkak të luftës në Ukrainë çmimet e karburantit në fillim të marsit kapërcyen 280 lekë për litër, e po ashtu u shtrenjtuan dhe ushqimet. Për këtë qëllim qeveria ngriti dy borde, për ushqimet e shportës dhe karburantit duke tentuar të kontrollojë normën e fitimit.

Bordi i Transparencës shkakton debate në Komisionin e Ligjeve