Gjykatat “në kolaps”, juristët: Vendet vakante në drejtësi, mijëra dosje në pritje
Juristët kanë ngritur shqetësimin për vendet vakante në sistemin e drejtësisë si pasojë e shkarkimeve nga 'vettingu'. Sipas avokatëve, mijëra dosje presin shqyrtimin duke rrezikuar afatet ndërkohë që gjykatat nuk kanë trupat e nevojshme për ti zhvilluar në kohë proceset.
Shkarkimet nga 'vettingu' kanë krijuar boshllëqe në sistemin e gjykatave ku dosje të shumta mbeten në pritje për tu shqyrtuar ende pa vendi-marrje.
Në konferencën me temë Siguria Juridike të zhvilluar në Tiranë, avokati Idajet Beqiri vuri theksin tek mos funksioni i gjykatave. Sipas tij shteti duhet të forcojë ligjet, pasi krimi po dominon ne vend.
"Gjykata e Lartë megjithëse janë bërë nja 9 anëtarë në të ende, nuk funksionon . Gjykatat e Apelit thuajse po mbarojnë dhe sa po vijnë e po shkojnë drejt zvogëlimit të tyre. Gjykatat e shkallës së parë janë katandisur, i kemi mbushur realisht burgjet e Shqipërisë me të dënuar dhe kemi plot të dënuar, por me ato që kultivojnë bimë narkotike dhe me ato që bëjnë ndërmjetësim për kalim të paligjshëm të kufirit."
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi Robert Gajda u shpreh se sistemi i drejtësisë po shfaq probleme në futjen e magjistratëve të rinj.
"Përtej problematikës së evidentuar në lidhje me mungesën e gjygjtarëve dhe prokurorëve nëpër gjykata, pasojë e reformës në drejtësi, gjëja e pashpjegueshme ka qenë vonesa e futjes në sistem të magjistratëve të rinj, të cilët mund të kontribuonin në të paktën të mos pasmit vonesa ose të mbushjes së institucioneve me ato magjistratë të cilët ishin të përgatitur."
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke analizuar vitin e kaluar tha se mbi 2 mijë çështje janë regjistruar ndërsa stoku i dosjeve vazhdon të mbetet i lartë me një numër prej 35 mijë 835 çështje të pa shqyrtuara.

