Debatet e nxehta, Paloka: Alibeaj nuk mund të jetë kryetar grupi i PD, drejton mbledhjen me axhendën e Kongresit të PS

Po vazhdon mes debateve mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të PD-së në selinë blu.

Deputeti Edi Paloka duke folur për gazetarët pas largimit nga mbledhja për shkak të axhendës së tij, tha se Enkelejd Alibeaj nuk mund të jetë më kryetar i grupit, duke e akuzuar se drejton mbledhjen me axhendë të Kongresit të PS.

Paloka: Për fat të keq është një mbledhje e grupit të PD që fillon dhe orientohet nga ai që deri sot drejton grupin parlamentar jo me axhendë të grupit të PD por me axhendë të Kongresit të PS. Alibeaj vjen të flasë gjoja për bashkimin dhe e fillon mbledhjen e grupit me axhendën që la Edi Rama në Kongresin e PS, përjashtimin e deputetëve të PD. Nuk e di si mund të flitet për bashkim kur fjalët e para të Alibeaj janë: Këta deputetë janë të përjashtuar,Sali Berisha është i përjashtuar, gjysma e grupit është e përjashtuar!

Edhe Berisha kërkoi përjashtimin.

Paloka: Në këto kushte absolutisht Alibeaj ka shkelur të gjithë parametrat që i lejohen edhe një kryetari grupi. Nuk mund të jetë kryetar grupi se është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit njësoj si gjithë strukturat e tjera. Në statutin e PD është e qartë se vendi i kryetarit të grupit është paralel me atë të nënkryetarit të partisë nga i cili Alibeaj është shkarkuar. E kemi pranuar për të mos krijuar një klimë përçarëse dhe jemi ne që menjëherë pas 6 marsit kemi bërë thirrje për bashkim, për normalizim të punës së grupit. Fakti që kemi pranuar Alibeajn ka qenë pikërisht për këtë arsye, për të mos filluar një përçarje të re të PD por për të bashkuar çdo gjë që për fat të keq u prish nga Lulzim Basha dhe ata që i shkonin dhe për fat të keq vazhdojnë ti shkojnë pas.

Kush e drejton PD?

Paloka: Partinë Demokratike e drejton Komisioni i Rithemelimit. Kuvendi i 11 dhjetorit  ka ngarkuar Komisionin e Rithemelimit të drejtojë PD me gjithë kompetencat që ka një Komision i tillë për të marrë të gjithë vendimet e duhura në funksion të drejtimit të PD, siç është dhe shtyrja e Kuvendit në 30 prill, që gjithashtu ishte një tentativë për të afruar dhe bashkuar sa më shumë demokratët. Komisioni i Rithemelimit do të funksionojë deri ditën e zhvillimit të Kuvendit të 30 prillit.

Përtej emrit të Alibeaj, si është fryma në grup?

Plaoka: Fryma e grupit është krejt e kundërta, për fat të keq është vetëm një grup prej 2-3 deputetësh që për fat të keq vazhdojnë të ndjekin axhendën Basha- Rama. Të gjithë deputetët e tjerë kërkojnë bashkim dhe normalizim të punës së PD. Si Komision kemi bërë dhe një propozim tjetër, do kërkojmë ndryshimin në Kuvendin e 30 prillit që deputetët të jenë anëtarë të Këshllit Kombëtar pa u votuar.

Nëse shkarkohet Alibeaj si do zgjidhet kryetari i ri i grupit?

Paloka: Është Alibeaj që e ka sjellë situatën në këtë pikë. Pa asnjë tagër, pa diskutuar me askënd ka bërë brenda kësaj jave një numër të madh emërimesh që i takojnë grupit parlamentar të PD, e ka bërë në kokë të tij pa pyetur askënd. Në Gjirokastër pa pyetur Shehun, ka emëruar një sekretar që i bie të jetë sekretari i Tritan Shehut.

Nëse Apeli rrëzon vendimin do ta pranoni?

Paloka: Nuk ka asnjë logjikë juridike dhe as njerëzore të rrëzohet vendimi i mbi 4000 delegatëve të PD. Vendimin e kanë marrë delegatët e PD.

Do merrni vendim ndaj deputetëve?

Paloka: Ne nuk përjashtojmë njeri.

Por shkarkoni.

Paloka: Kur ti zotëri ndjek axhendën e Edi Ramës, nuk mund të bësh axhendën e Edi Ramës në PD. Është Kuvendi i PD që vendos për çdo gjë.