Skulptori Ermir Grezda: "Madre Eterna" do të vendoset tek materniteti "Nëna Geraldinë"

Artisti i mirënjohur Ermir Grezda lindi në Tiranë. Rruga drejt artit nuk ishte krejtësisht e rastësishme pasi frymëzimin e parë për artet figurative e mori nga i ati, piktori i njohur Qamil Grezda. Kështu në moshë shumë të vogël teksa qëndronte për orë të gjata në atelienë e të atit nisi të formësohej me kornizën artistike të tij dhe kështu nisi të ecte në gjurmët e tij.

I ftuar në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” Ermir Grezda na rrëfeu pasionin dhe profesionin e tij për artin figurative pra për pikturën dhe skulpturën. Ai na tregoi se e nisi me hapa të ngadaltë për të fituar lirinë artistike. Kjo bëri që të analizojë të gjithë emocionin artistik të shprehur në artin e tij  të skulpturës. Ermir Grezda u shpreh se “Arti i skulpturës është i pavlerësueshëm për sa i përket mundimit dhe kohës që unë shpenzoj për ti realizuar”.

Ndërkaq skulptura e parë që Ermir Grezda ka realizuar ka qenë syri i Davidit dhe fytyra e Deas së Butrintit. Edhe skulptori i mirënjohur e ka një frymëzim edhe ajo është vetë e bukura.

“Vajzat shqiptare janë shumë të bukura, më ngjajnë si hyjnesha dhe më frymëzojnë” u shpreh Ermiri. Dashuria e parë për skulptorin kanë qenë portretet e fëmijëve. Me kalimin e viteve ai realizoi skulpturën “Madre eterna” në të cilën shprehet dashuria e një nëne për fëmijën e saj, një skulpturë e cila morri përmasat 2m e 20 cm. Kjo vepër e tij është vlerësuar dhe do të vendoset në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Në librin e tij ku janë të paraqitura me foto skulpturat e realizuara nga vetë ai, ku një ndër to është edhe skulptura e bashkëshortes së tij.

Grezda u shpreh se “Skulptura për mua është vetë jeta ime dhe nuk e mendoj dot të shkëputem prej saj”.