Arbër Hajdari tregon për herë të parë se si nisi "Fundjavë Ndryshe"
Arbër Hajdari ka rrëfyer për herë të parë se si ka nisur zanafilla e organizatës bamirëse "Fundjavë Ndryshe."
I ftuar në "Why?Not" në RTV Ora me moderatoren Roza Lati, Hajdari tha se gjithçka filloi në 27 tetor 2015.
Hajdari: Ishte dita kur ne vendosëm ta bënim publik. Kur është krijuar Fundjava kam qenë vetëm unë. Rreth 3 muaj më parë, në një ditë feste, ka qenë Bajram më duket, unë vendosa ta festoj ndryshe, jo siç jemi mësuar çdo vit. Në mëngjes herët shkova te një vend në Tiranë që bën delivery dhe porosita një sasi ushqimesh. Ai më tha pse i do kaq shumë sanduiçe që në pikë të mëngjesit.
I thashë do më duhen se do shkoj ta kaloj pak ndryshe këtë festën e Bajramit. Më tha hajde se i ke gati për 3 orë. Kur kthehem i thashë sa kushtojnë. Më tha nuk dua asnjë lek se dua ta bëj për shpirtin tim. Kjo ishte shenja e parë që unë pashë se kishte dëshirë të njerëzve për tu përfshirë në aktivitete sociale. Ishte një ditë e jashtëzakonshme. Kemi shkuar në një nga lagjet më të varfra të Tiranës. Aty nuk kishte festë. Kjo ka qenë dita kur unë kam marrë orientimin për të nisur misionin e "Fundjavës."
