A jeni penduar për qëndrimet ndaj ambasadores Kim, Berisha: Sa kohë sillet si guvernatore do ta kundërshtoj

Sali Berisha, nuk ndryshon qëndrim ndaj Ambasadores Yuri Kim, duke theksuar se do ta kundërshtoje  gjithmonë rastet kur vepron si guvernatore, dhe se nuk pajtohet me qëndrimet dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës. Ish kryeministri komentoi vendimin e  qeverisë për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, duke ngrit alarmin se vendi rrezikon përdorim masiv.   

Ish kryeministri Sali Berisha, nuk tërhiqet nga kundërshtitë dhe akuzat për ambasadoren amerikane Yuri Kim. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët si një përmbledhje e zhvillimeve politike, ai tha se do ta kundërshtoje ambasadoren amerikane sa herë ajo sipas tij shkel konventat ndërkombëtare.

Berisha: E kam shumë të qartë dhe kam respektin më të madh për ambasadoren kur ajo vepron në përputhje me përfaqësimin e presidentin Joe Biden. Por nuk mund të pajtohem kurrë me qëndrimet e saj kur ajo vepron si guvernatore. Cilido, pavarësisht se kë përfaqëson, vepron si guvernator/e unë do ta kundërshtoj dhe do ta denoncoj.

Politikat e SHBA në Tiranë pa asnjë diskutim synojnë mbështetje për këtë vend. Nuk mund të pajtohem me qëndrimet e guvernatores, mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës dhe veprimet e mirëfillta anti-opozitare. Shqiptarët do të jenë dhe duhet të jenë partnerë besnikë të SHBA-së, por sovranë që vendosin me votën e tyre të lirë.

Ish-kryetari i PD-së, ripërsëriti vendimin e tij për të marr sërish drejtimin e kësaj force politike, duke i njohur vetes aftësinë për të mundur Edi Ramën, e për të kthyer të djathtën në pushtet. 

Berisha: Edi Ramën e ka mundur 2 herë Sali Berisha. Ky është revolucion i pandalshëm, po e them me siguri të plotë.

Sali Berisha, foli edhe për vendimin e qeverisë për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, duke e cilësuar këtë si vendim që vjen nga lobingjet e krimit të organizuar.

Berisha: E bën Shqipërinë një vend problematik për sigurinë e rajonit dhe shton ligjërisht investimin në organizatat kriminale.

Ish-kryeministri Sali Berisha, foli për arrestimin e ish deputetit socialist të implikuar në aferën e inceneratorëve.  Sipas tij  procesi dëshmoi në mënyrë flagrante përpjekjen anti-ligjore të Qeverisë për mbrojtjen e Alqi Bllakos.

Berisha: Çfarë e shtyu policinë, kush e urdhëroi drejtorin Gledis Nano të mashtrojë qytetarët shqiptarë"

Duke folur për procesin zgjedhor brenda Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se pas kuvendit të 30 prilli PD-në do ta drejtoje kryesia ndërsa menjeherë do të nis gara për kreun e ri.