Takimi Kovaçevski-Bregu: Hapja e negociatave me BE-në do të jetë motivim për vendet e tjera

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, priti sot në një takim Majlinda Bregun, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, organ operativ i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si kontribut për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe në pjesën e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe në këtë mënyrë në avancimin e ekonomive në vendet.

Dy bashkëbiseduesit theksuan se është e nevojshme të ketë sinergji mes vendeve të rajonit, në rrugën e zhvillimit të tyre.

Gjithashtu, bashkërisht vlerësohet se lufta në Ukrainë theksoi rëndësinë e integrimit euroatlantik të Evropës Juglindore dhe të ardhmen evropiane të vendeve të rajonit.

Konsiderohet se hapja e negociatave ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë me BE-në do të jetë motivim dhe inkurajim për vendet e tjera në rajon që të vazhdojnë me reformat në rrugën evropiane, e cila ka rezultuar e rëndësishme në kuadrin rajonal dhe për Evropën.

Kryeministri Kovaçevski tha se me kryeministrin Petkov po zhvillohen bisedime parimore dhe se qeveria është e fokusuar në tejkalimin e sfidave të luftës në Ukrainë përmes rritjes së pagës minimale, rritjes së pensioneve, mbështetjes së qytetarëve në fushën e faturave të energjisë elektrike.

Në takim u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit rajonal, përmes projekteve të reja në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, me qëllim të progresit dhe perspektivës si për vendin ashtu edhe për gjithë rajonin.