Kandidat nga PD për Presidentin e ri? Berisha: Vetëm nëse Rama vendos ta propozojë opozita

Ish-kryeministri, Sali Berisha, përsëriti qëndrimin e tij se opozita dhe PD nuk do të pranojnë asnjë kandidat të kryeministrit Rama dhe PS për President të Republikës.

Por ai la të hapur mundësinë që nëse Rama vendos që Presidentin ta propozojë opozita atëherë PD do të konsultohet me partitë e tjera opozitare dhe institucionet e PD për të dalë një qëndrim.

A do të propozojë PD një emër për Presidentin e ri?

Berisha: PD nëse do propozojë dhe cili do të jetë qëndrimi do të merret vendimi nga forumet më të larta të PD, Këshilli Kombëtar që do të zgjidhet nga Kuvendi i 30 prillit. Si rregull, PD si opozitë e vërtetë nuk pranon asnjë propozim të Edi Ramës. Nëse Edi Rama për shkak të dhunimit të zgjedhjeve etj vendos që Presidentin ta propozojë PD ose opozita do të nisim konsultimet me forcat e tjera politike, me institucionet e PD dhe do të përcaktohet qëndrimi.