Komisioni i Rithemelimit përgatitet për Kuvendin e 30 prillit dhe zgjedhjet në PD, Berisha tregon çfarë do ndodhë me mbështetësit e Bashës

Komisioni i Rithemelimit të PD zhvilloi sot mbledhjen e radhës me fokus të veçantë Kuvendin e 30 prillit dhe zgjedhjet në parti.

Berisha: Ju përkushtua terësisht problemeve organizative të Kuvendit të ardhshëm dhe problemeve të tjera organizative të PD. U diskutua gjerësisht për listat me të cilat do të votohet  gjatë këtyre javëve për kryesitë, kryetarët. Tani disponohen lista të 2019, qershorit 2021 dhe të referendumit të 18 dhjetorit 2022. Lista do tu dërgohet kryesive të PD, do jenë ato që do të japin verdiktin përfundimtar për listën me të cilën do të votojnë anëtarët e PD. Ekziston vendosmëria për të bërë gjithçka që çdo anëtar i PD të votojë, të shprehë vullnetin e  tij për kryetarin e degës, grupseksionit e me radhë.

Në mbledhje u diskutuan probleme të tjera. Dua të garantoj çdo anëtar të PD se formulari i shpërndarë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç pajisjes me dokumentat e PD dhe jo për qëllime votimi. U ra dakord që çdo proçes për të cilin një anëtar i PD ka objeksion ti nënshtrohet procesit të përbashkët të përputhshmërisë së tij me statutin.

Ish-kryeministri Berisha duke folur në mbyllje të mbledhjes tha se u diskutua dhe për hapjen e PD.

Berisha: Diskutuam dhe për zgjerimin e spektrit të bashkëpunimit me organizatat e tjera përveç atyre partnere. Bashkëpunimi sipas degëve do të jetë lokal dhe qëndror. PD hapet. U diskutua dhe u ngrit grup pune për të hartuar udhëzuesit e ngritjes së degëve të PD në emigracion dhe diasporë. Ishte një mbledhje kryekëput kushtuar problemeve organizative të PD.

I pyetur nëse në këtë proces riorganizimi do përfshihen dhe pjesa tjetër e PD, ata kryetarë degësh dhe grupseksionesh që deri tani kanë mbështetur zotin Basha, ai u shpreh:

Berisha: Ky proces po ecën mirë dhe mund tu numëroj jo një por disa kryetarë grupseksionesh të cilët kanë mbështetur zotin Basha dhe janë zgjedhur me votat e anëtarësisë, kryetarë grupseksionesh në pozicionin që kanë patur. Ka kryetarë të PD të degëve që dëshirojnë të kandidojnë dhe janë të mirëpritur, kanë besimin politik të plotë nëse ata votohen nga anëtarësia. Deputetët po marrin pjesë dhe janë të angazhuar në proceset e brendshme të zgjedhjeve në parti sikundër një proces që quhet audit i partisë po ndodh dhe do të zhvillohet në të gjitha rastet kur ekziston dyshimi më i vogël se janë shkelur rregullat statutore. Konstatoj një shkallë përgjegjësie të plotë nga të gjithë demokratët dhe demokratet për të kapërcyer periudhën e sherrit dhe për të rivendosur unitetin si forcë politike duke ruajtur diversitetin e mendimeve.

A ka rrezik që ata demokratë që vazhdojnë të jenë në krah të Bashës, kanë marrë pjesë në takimet e tij, të mbeten jashtë partisë?

Berisha: Nëse mbeten apo jo nuk e përcaktoj unë por ata vetë, por ne nuk përjashtojmë.

Keni deklaruar se grupi parlamentar ëahtë i vetmi organ legjitim i PD, pse mblidhet Komisioni i Rithemelimit dhe nuk diskutohet çështja e Kuvendit të 30 prillit me gjithë grupin parlamentar?

Berisha: Nuk është ashtu, kam thënë që Komisioni i Rithemelimit i votuar nga 4900 anëtarë është plotësisht legjitim. Këto të dyja janë legjitime. Kryesia është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.Nuk kemi kryesi, kryetari është i shkarkuar nga ai Kuvend dhe më pas i larguar.Dy janë forumet, forum politik kryesor dhe drejtues i PD Komisioni i Rithemelimit dhe grupi parlamentar padiskutim që ka legjitimitet. Mbledhje të grupit parlamentar ka patur dhe do të ketë por vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit janë të detyrueshme për zbatim.

Alibeaj vijon të mos ju njohë si pjesë të grupit parlamentar zoti Berisha, cili do të jetë hapi juaj i radhës?

Berisha: Qëndrim personal, i pavlerë. Ne e pranojmë diversitetin e mendimit. Është një qëndrim personal, vazhdim i qëndrimit dhe vendimeve të Bashës, por është e tij, janë pa vlerë.

A do ketë penalitete për qëndrimin personal të Alibeaj?

Berisha: Jo, për qëndrime personale nuk ka penalitete. Ne e pranojmë unitetin në diversitet.

Kuvendi i 11 dhjetorit shkarkoi të gjitha organet e PD. Alibeaj duke qenë i shkarkuar si nënkryetar i partisë si mund të qëndrojë kryetar i grupit parlamentar?

Berisha: Sepse që të emërohet kryetari i ri i grupit parlamentar duhet të jetë dhe kryetari i PD, ky mungon. Nuk kemi pse shkojmë në veprime ekstreme. Derisa ai mungon, vazhdon detyrën.

Nëse do të keni ftesë për mbledhjen e radhës të grupit parlamentar do të merrni pjesë?

Berisha: Unë nuk pres ftesë, unë jam pjesë e grupit parlamentar. Vendimi i 9 shtatorit u varros në mënyrën më të demokratike me datën 11 dhjetor.

Do bëni kërkesë në Kuvend për të qenë pjesë e grupit parlamentar?

Berisha: Nuk jam përjashtuar unë nga grupi parlamentar. Ato janë kombinacione të Edi Ramës, të cilat janë antikushtetuese dhe antiligjore. Unë kam qenë dhe jam pjesë e grupit parlamentar të PD.