"Një i dërguar privat…" Ja çfarë thotë Berisha për ndërmjetësin që i dërgoi në zyrë ambasadorja Kim

Nisja e debatit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ka rikthyer përplasjen mes Sali Berishës dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Berishës se kishte kërkuar negociime për tu tërhequr nga gara në selinë blu, ambasadorja Kim shprehet se nuk bisedon me personat e shpallur "non grata".

Por për gazetarët pas mbledhjes së Komisonit të Rithemelimit, Berisha foli sërish për bisedimet.

Berisha: Jo. Një i dërguar privat është i dërguar privat dhe nuk mund ta bëj publike. Nuk kam qenë i ashpër, përkundrazi i kam bërë të qartë se nuk mund të pranoj kurrë ndërhyrje për çështjet e kryetarit dhe asnjë ndërhyrje tjetër në punët e brendshme të PD. Merr fund, ka marrë fund kjo. Unë e kam bërë shumë të qartë por edhe e kam faktuar se nuk kam pranuar dhe nuk pranoj ndërhyrje nga askush.

Nëse do të jetë Basha kandidat për President, Berisha përgjigjet shkurt.

Berisha: A ka mundësi të mos bëni shaka. Lëreni se ai e përgenjështroi këtë gjë dhe ne ti qëndrojmë asaj.

Në mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit të zhvilluar në selinë e PD u vendos zhvillimi i zgjedhjeve të brendshme, e për këtë po bëhet transparencë mbi listën e anëtarësisë.

Berisha: Ka kryetarë të PD të degëve që dëshirojnë të kandidojnë dhe janë të mirëpritur, kanë besimin politik të plotë nëse ata votohen nga anëtarësia. 

Megjithatë duket se situata në PD nuk është e qetë, ku Enkelejd Alibeaj apeloi vendimin e gjykatës që njohu Kuvendin e Rithemelimit.