Xhixho: Presidenti, shtojcë e ekzekutivit. PS ka tagrin për të emëruar një person tjetër në kabinetin e tij

Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, shprehet ndryshimet Kushtetuese që u bën në 2008, i dhanë një goditje shumë të madhe presidencës, pasi kreu i shtetit tashmë nuk zgjidhet me 84 vota, por më pak.

Në një intervistë për Ora News, Xhixho tha se Presidenti u bë shtojcë e ekzekutivit, sakaq thekson se PS do të ketë tagrin që të zgjedhë presidentin pasi votat e deputetëve në kabinetin e qeverisjes mjaftojnë për të zgjedhur kreun e shtetit.

Deputetja e dha këtë deklaratë kur u pyet nga gazetari Everest Dedaj se a do të jetë LSI-ja pjesë e diskutimit për një emër se kush do të jetë president i ri në vendin tonë.

Everest Dedaj: A do bëhet LSI, pjesë e procesit të diskutimit për nj emër të presidentit të ri?

Erisa Xhixho: Presidenti i Republikës humbi shumë nga autoriteti i tij me ndryshimet e 2008. Nëse më përpara votat për të miratuar një president të Republikës, siç ishin dhe parashikimet e Kushtetutës ’98 duhet të ishte një votim i cilësuar me 84 vota, u kthye në një votim të thjeshtë. Presidenti u bë një shtojcë e ekzekutivi, ndërkohë që qëllimi i Kushtetutës nuk ishte ky. Pas 2008  Presidenti mori një goditje shumë të madhe dhe u bë pre e interesave politikë, ndërkohë që nuk duhet të ishte kështu. Sot Presidenti do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe padyshim që PS do të ketë tagrin e saj për të emëruar një person tjetër në kabinetin e tij qeveritar.

Xhixho thotë se Kushtetuta duhet të ndryshohet në themel, dhe sipas saj presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

Erisa Xhixho: Duhet të ndryshojmë në themel Kushtetutën dhe pse jo që Presidenti të zgjidhet nga populli. Unë nuk kam ndonjë pritshmëri për zgjedhjen e një presidenti që do duhet të ishte në nivelin e asaj çfarë fryme ka pasur Kushtetuta para 2008. Në momentin që do të hidhet me shumicë të thjeshtë është një anëtar plus i kabinetit qeveritar.