Aksident në Maliq, 4 të plagosur nga përplasja e dy makinave, zjarrfikësja nxori dy të bllokuar në mjet
Katër persona mbetën të plagosur në një aksident rrugor në Maliq. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë kryqëzimit të fshatit Plasë.
"Më datë 05.04.2022, rreth orës 19:45, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë kryqëzimit të fshatit Plasë, Maliq, janë përfshirë në një aksident rrugor mjeti tip "Toyota" me drejtues shtetasin B. C. dhe mjeti tip "Renault" me drejtues shtetasin J. L. Për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë, konkretisht shtetasja J. E., (pasagjere në mjetin tip "Toyota") e cila aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe shtetasi A. M., (pasagjer në mjetin tip "Renault") i cili së bashku me dy shtetasit e tjerë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve" njoftoi policia.
Në mjetin tip "Toyota" me targa greke udhëtonin një çift bashkëshortësh, Besnik Cakollari dhe Johana Elmasllari, ndërsa në mjetin tjetër me targa shqiptare dy meshkuj, drejtuesi Jetnor Lumani dhe pasagjeri Astrit Muhaxhiri.
Ora News mëson se të plagosurit në mjetin "Renault" janë nxjerrë nga zjarrfikësja e Maliqit, pasi ishin bllokuar brenda mjetit dhe kanë dëmtime të shumta.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.

