Orban, ‘luftë’ diplomatike Ukrainës
Përveç Rusisë, Ukrainës i duhet të përballet edhe me Hungarinë. Ministria e Jashtme hungareze ka thirrur në takim ambasadorin ukrainas për atë që ata thonë, fyerjet e Kievit ndaj popullit të Hungarisë lidhur me zgjedhjet e 3 prillit.
Ministria e Jashtme e Hungarisë ka thirrur në takim ambasadorin e Ukrainës në Budapest për shkak të deklaratave fyese të Kievit.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sijarto i cili shtoi se Ukraina duhet të pranojë vullnetin e popullit të Hungarisë.
Sijarto: Është koha që udhëheqja ukrainase të ndalë fyerjet ndaj Hungarisë dhe të pranojë vullnetin e popullit hungarez.
Kryediplomati iu referua fitores së zgjedhjeve të 3 prillit të partisë në pushtet Fidesz dhe kryeministrit Viktor Orban.
Kreu i qeverisë në fjalimin e fitores futi në listën e kundërshtarëve të tij politikë edhe presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar se tentoi të ndërhynte në zgjedhje.
Hungaria e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës, por megjithatë ka refuzuar t’i dërgojë armë Kievit, apo të ndërpresë kontratat e gazit me Moskën.
Në një fjalim të mbajtur në 25 mars nga ana e presidentit ukrainas drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, Zelensky i kërkoi Orbanit që të deklarojë rolin e tij në luftë.
Ai i tha kryeministrit hungarez se duhet të vendosë me kë është, pra me Ukrainën apo me Rusinë.
Pakënaqësia e Zelenskyt u përdor edhe nga lideri i opozitës hungareze në zgjedhje e cila nuk pati sukses, pasi më shumë se 53% e hungarezëve rizgjodhën kryeministrin Orban për herë të katërt.
