Katër persona në Vlorë nën hetim, protestuan kundër projektit të sheshit të Flamurit
Policia e Vlorës ka proceduar 4 persona të cilët protestuan të dielën kundër projektit në sheshin e Flamurit. Ata akuzohen për grumbullime të paligjshme, ndërsa ata thanë se këto procedime janë metoda frikësimi për qytetarët.
Arben Bazaj, Orland Bazaj, Arben Kola dhe Anton Kola u proceduan penalisht këtë të hënë pas protestës që u zhvillua në Vlorë kundër projektit të sheshit të Flamurit gjatë së dielës.
Këta persona u cilësuan si organizatorë të protestës që sipas policisë ishte një organizim i paligjshëm.
Por Arben Bazaj shprehet se protesta nuk kishte organizatorë pasi pjesëmarrësit ishin organizuar përmes rrjeteve sociale.
"Unë do doja të isha organizatori, por nuk jam. Kjo është protestë e ndërgjegjes qytetare dhe ndërgjegjja qytetare nuk ka nevojë për organizim, ajo shpërthen vetë."
Të proceduarit thonë se këto veprime kanë për qëllim të frikësojnë qytetarët dhe të shuajnë protestën.
"Kjo është e qartë që është thjesht një urdhër për të trembur ata që duan të dalin në protestë."
I përgjigjen edhe kryeministri Edi Rama që i quajti të shtunën si përkrahës të Sali Berishës, ndërsa i etiketoi si “foltoraxhinj”.
"As jam anëtar i PD, as kam marrë pjesë në Foltore. Unë jam i majtë or zotëri dhe e kam pritur atë në 2009 këtu në Vlorë, kur të tjetër kishin frikë të dilnin ta takonin zotin kryeministër."
Ata thonë se nuk do të tërhiqen nga protestat për të kundërshtuar projektin e sheshit të Flamurit që sipas tyre cenon identitetin dhe kujtesën historike të qytetit.
"Do vazhdojmë dhe e kemi lënë për të enjten në orën 17:00 të jemi sërish këtu me të njëjtat kërkesa."
