Atentati në autostradën Tiranë-Durrës, identifikohet viktima, mjetin e kishte marrë me qira
Qyteti i Tiranës është tronditur sërish në fundjavë nga një tjetër atentat që ka lënë pas një viktimë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës ku është qëlluar ndaj një mjeti tip “Land Rover” dhe duke e lënë të vdekur drejtuesin e tij.
Ora News mëson se mjeti tip “Land Rover” është marrë me qira në një biznes që jepte makina me qira, ndërsa viktima është identifikuar si Iljaz Çali, 37 vjec banor ne Rinas te Ri.
Viktima ishte me precedente penale ne fushen e drogës, raporton gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.
Nga informacionet e para dyshohet se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar nga një makinë tjetër në ecje e sipër në drejtim të Land Roverit duke lënë të vdekur, shoferin.
Nga grupi hetimor mësohet se është qelluar për rreth 50 m në breshëri në drejtim paralel.
“Më datë 03.04.2022, në autostradën Tiranë-Durrës, përballë DHL-së, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip "Land Rover" dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit/ëve. Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.” – bën me dije policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

