Mbeten pa çati, banorët e "5 Majit" te dera e Veliajt
Banorët që preken nga projektet e rindërtimit dhe zgjerimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit janë grumbulluar para bashkisë së Tiranës mëngjesin e së hënës. Ata kërkojnë një përgjigje nga bashkia e Tiranës e cila deri më tani i ka lënë pa zgjidhje.
Këtë të hënë, 4 prill banorët e zonës së 5 Majit dhe Laprakës u mblodhën para bashkisë tiranë në shenjë revolte ndaj heshtjes së kësaj të fundit për projektet që prekin banesat e tyre.
Ata thanë se janë kërcënuar, madje duke akuzuar direkt kreun e inspektoriatit të mbrojtjes së territorit Mariglen Qato.
"I bëj thirrje Mariglen Qatos mos kërcëno, mos marrë më njerëz nëpër zyra duke i kërcënuar që do t'io heqë nga puna, duke i kërcënuar që të japin dorëheqjen vetë."
Prej muajsh kanë kërkuar një kontakt me bashkinë tiranë, por askush nuk i ka dëgjuar.
"Duke qenë se ngarkohet bashkia e Tiranës për të bërë akt marrëveshjen atëherë ne i jemi drejtuar si qytetarë, i kemi thënë të bëjmë aktmarrëveshjen. Bashkia e Tiranës nuk e ka pranuar përfaqësinë tonë, nuk ka pranuar marrëveshje me ne dhe prandaj vazhdojnë e prishen shtëpitë me dhunë."
Kërkesat i kanë të njëjta , shpronësim të drejtë të shtëpive të tyre.
"I bëj thirrje bashkisë t'i plotësojë kërkesat tona sepse sa më shumë banorë nuk firmosin, aq më shumë gjyqe hapen, aq më shumë do paguajnë banorët në të ardhmen."
Shtëpitë e banorëve të zonës së 5 majit preken nga procesi i rindërtimit ku shumë nga banorët ende nuk kanë firmosur një marrëveshje me bashkinë Tiranë.
