Rusët tërhiqen nga Kievi, beteja në lindje
Inteligjenca britanike ka konfirmuar tërheqjen e trupave ruse nga kryeqyteti i Ukrainës, por dyshimet janë se do të ketë luftime edhe më të ashpra në lindje të vendit në republikat e vetëshpallur të kontrolluara nga separatistët Luhansk e Donetsk.
Inteligjenca britanike ka konfirmuar tërheqjen e trupave të Rusisë nga kryeqyteti ukrainas, ashtu siç paralajmëroi ministria e Mbrojtjes ruse.
Në rajonin lindor të Luhanskut është raportuar se në dy qytete ka pasur granatime nëpër ndërtesa banimi.
Palët fajësojnë njëra tjetrën.
Ukrainasit thonë se forcat ruse granatojnë popullsinë e shtetit të vetëshpallur, ndërsa Moska pretendon se forcat ukrainase dhe nacionalistët kanë lëshuar të paktën 10 raketa drejt popullsisë civile.
Agjencia shtetërore bërthamore e Ukrainës thotë se trupat ruse kanë bombarduar një tubim pro-ukrainas nga banorët e Enerhodar, një qytet jugor ku ndodhet centrali bërthamor më i madh në Evropë i Zaparizhias.
Forcat ruse kanë qëlluar në drejtim të protestuesve me qëllim shpërndarjen e tyre nga sheshi i qytetit.
Kryqi i Kuq tha se po asistonte në evakuimin e civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupollit.
Të shtunën të paktën 7 korridore janë hapur për evakuimin e civilëve të cilët janë në krizë humanitare prej disa ditësh bllokim dhe mungesë për ushqim, ujë e ilaçe.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se tashmë beteja është zhvendosur në lindje. Ai pretendon se luftimet do të jenë tepër të ashpra. Forcat ruse, sipas kreut të shtetit po tërhiqen nga veriu dhe po rigrupohen për sulme të tjera.
Instituti ukrainas i Luftës, tha se forcat e Kremlinit janë përqendruar në lindje, për të marrë në kontroll të plotë dy republikat separatiste Donetsk dhe Luhansk.
