Orban drejt mandatit të 4, opozita: Lidhjet e tij me Putin po na përjashtojnë nga Perëndimi

Opozita hungareze e ka quajtur kryeministrin aktual Viktor Orban tradhtar të interesave të popullit për shkak të lidhjeve të tij me presidentin rus Vladimir Putin. Komentet e opozitës vijnë në një kohë kur sondazhet nxjerrin Orbanin fitues në zgjedhjet e të dielës.

Ndërsa sondazhet nga mediet e majta e të djathta tregojnë për një epërsi për kryeministrin aktual të Hungarisë, Viktor Orban, kreu i opozitës gjashtë partiake Peter Marki Zai e ka quajtur liderin e Fidesz tradhtar.

Sipas tij, Orban me lidhjet e tij të ngushta me Putinin po i vë në rrezik hungarezët nga sanksionet.

"Që prej nisjes së sulmit të Ukrainës nga presidenti Putin, tradhtia e Orbanit ndaj interesave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka sjellë largim dhe përjashtim ndërkombëtar dhe mund të çojë në vendosjen e sanksioneve ndaj Hungarisë. Unë vazhdoj të them se ne duhet ta ndalim Putinin, jo Brukselin. Le të jemi vetëm një herë në anën e duhur të historisë, le të jemi vetëm një herë në anën e fitores".

Sondazhet sugjerojnë se aleanca Fidesz e Orbanit ka një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë partive opozitare në zgjedhjet e 3 prillit, ku 8 milionë hungarezë kanë të drejtë vote, megjithëse një pjesë e elektoratit kanë thënë se janë të pavendosur para përmbylljes së fushatës.

Fidesz ka qeverisur me vendin në 12 vjetët e fundit me një shumicë prej dy të tretave të ulëseve të Parlamentit, duke i lejuar partisë të bëjë ndryshime të mëdha, pa pasur nevojë për votat e opozitës.

Më 3 prill, hungarezët po ashtu do të votojnë për referendumin për ndalimin e diskutimit nëpër shkolla për çështjet LGBTQ+.

49-vjeçari Peter Marki Zai është dakord për implementimin e çështjeve LGBTQ nëpër shkolla dhe imigracionin e paligjshëm, çështja të cilat janë bllokuar me ashpërsi nga qeveria e Orbanit.

Kryeministri aktual shpesh e quan kreun e opozitës si kukull të mulimiliarderit Xhorxh Soros lidhur me politikat dhe ideologjinë e tij liberale.