“Kjo është Koha” Emisioni në Rtv Ora dedikuar Muajit të Madhërishëm të Ramazanit
Është muaji i sakrificës, i mëshirës, i lartësimit të shpirtit, muaji ku besimtarët i afrohen rrugës së Krijuesit.
Ramazanit të Madhërishëm, ngjarjes më të rëndësishme për besimtarët Myslimanë, Radio Televizioni Ora i kushton një hapësirë të veçantë.
“Kjo është koha” do të jetë emisioni që nis bashkë me Ramazanin.
Vlerat dhe rëndësia e Muajit të Begatë do të jenë në thelb të programit që rikthehet me risi në vitin e tij të tertë.
Vladimir Kerra: "Do të përpiqemi të sjellim një sërë mesazhesh, për ti dhënë vlerë njeriut, familjes, shoqërisë , kontributit, kombit ku jetojnë, tokës ku kemi lindur dhe jetojmë. Nuk është thjesht një ardhje rastësore kjo, ka një peshë shumë të rëndësishme, çdo njeri është i rëndësishëm në këtë botë, përndryshe nuk duhet të kishte ardhur, përderisa ka ardhur është i rëndësishëm. Do të përpiqemi ti kthejmë vlerën njeriut, ca mesazhe rreth kësaj vlere, familjes të cilën ditë nga ditë e humb vlerën e saj"
Teologu Vladimir Kerra, drejtues i emisionit thotë se nga kjo studio, ku vizitorët do të jenë të shumtë, do të përcillen mesazhe të vyera, veçanërisht për besimin e familjen.
Vladimir Kerra: " Ky është një emision që vjen i veçantë, sepse gjej rastin të falenderoj gjithë këtë staf që po përgatitet për këtë muaj, që ne të jemi sa më afër besimtarëve , sepse është muaj i agjërimit. Nëpërmjet kësaj dritare do të përpiqemi të jemi sa më afër teleshikuesve për të sjell atmosferën e Ramazanit dhe disa kuptime rreth agjërimit, do kemi lidhje të ndryshme, do të kemi të ftuar në studio, do të ketë një larmishmëri njerëzish , individësh dhe do të hyjmë pothuajse të gjithë në këtë atmosferë të këtij muaji të veçantë për besimtarët myslimanë"
Emisioni “Kjo është koha” do të nis të shtunën e dy Prillit e do të shoqërojë publikun e Radio Televizionit Ora deri në datën 2 Maj.