Rritja e çmimeve, Duro: Abuzime në tregun e naftës. E vështirë që bordi të kontrollojë produktet ushqimore
Eksperti i ekonomisë, Enton Duro ka komentuar situatën ekonomike në vendin tonë, temë e cila prej javësh ka qenë kryefjala e mediave por edhe opinionit publik.
Në një intervistë për Ora News, Duro u shpreh se rritja se çmimeve ka ardhur si rezultat i post Covid-19 si dhe si pasojë e luftës që zhvillohen në Ukrainë.
Enton Duro: Rritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i situatës post pandemike që është shoqëruar me një rritje të menjëhershme të kërkesës si rezultat i stimujeve që erdhën si nga politika fiskale dhe nga politika monetare. Kështu ka ndodhur edhe në botë. Nga ana tjetër, dalja nga pandemia e gjeti të papritur ofertën që filloi të humbte orientimin e saj duke rritur kostot e njëpasnjëshme. Ajo çfarë po ndodh me konfliktin ushtarak në Ukrainë, ishte një instrument i tepërt më shumë për të rritur çmimet.
Ai thotë se në rritjen e çmimeve ka pasur abuzime, sidomos në tregun e naftës.
Enton Duro: Kemi parë që ndërhyrja e qeverisë për të kontrolluar çmimet apo për t’I mbajtur ato drejt marzheve jo shumë të larta të ndryshimit, nënkupton edhe elementin e abuzimit që ndodh në tregjet tona.
Gjasat janë se ka pasur abuzim në tregun e naftës e natyrisht mënyra e vendosjes së çmimit në mënyrë të unifikuar te të gjithë operatorët, tregon se ka pasur një nivel abuzimi. Por për të qenë më saktë duhet të presim institucionet.
Përsa i përket krijimit të bordeve ai tha se bordet e kanë të vështirë të kontrollojnë produktet ushqimore pasi sipas tij ka shumë operatorë në treg.
Enton Duro: Duhet të shikojmë situatën. Përsa i përket çmimit të karburanteve, bordi dha një efekt në uljet e çmimeve dhe pavarësisht fakteve apo shtysave që ka marrë krijimi i këtij bordi le të themi se pati efekt. Nëse do të shohim çmimet e produkteve ushqimore është e pak e vështirë që bordi të ketë kontroll, sepse operatorët në treg janë të shumtë. Ndërhyrja në çmime nuk është gjë e mirë.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
