Incineratorët, Ndoka: Rama mos të bëjë të paditurin, Kokën e Bllakon fillimisht i peshkoi e më pas i hodhi lehtë
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se arrestimi i ish-deputetit të PS, Alqi Bllako është një lëvizje pozitive e drejtësisë, ndërsa shton se procesi i hetimit në lidhje me aferën e incineratorëve duhet të vazhdojë.
Në një intervistë për Ora News, Ndoka thekson se pas kësaj afere janë shumë aktorë që kanë të bëjnë me politikën.
Nard Ndoka: Është një lëvizje pozitive e drejtësisë, për faktin që është një korrupsion galopant me buxhetin e shtetit. Është shumë i rëndësishëm që procesi të vazhdohet. Pa diksutim që lidhjet janë politike për faktin që është një aferë korruptive që ka shumë aktorë. Filli politik është shumë i rëndësishëm në këtë mes. Duhet një hetim më I thelluar dhe kurajo nga ana e sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, projektet e incineratorëve i kanë kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit, ndërsa shton se Kryeministri dhe persona të tjerë mos të bëjnë rolin e të paditurin pasi sipas tij këto të fundit kanë lidhje të drejtpërdrejt në këto projekte.
Nard Ndoka: Këto projekte i kanë kushtuar buxhetit të shtetit me miliona euro, janë taksat e qytetarëve, që meritojnë vëmendje. Mos të bëjnë rolin e të paditurit as Kryeministri dhe personazhe të tjera të cilët janë të lidhura drejtpërdrejt në këto projekte korruptive. Nuk arrij ta kuptojë se si projekte të tilla kalojnë nga njëra ministri në tjetrën duke thyer edhe standartet ligjore e afatet kohore pa një lloj oponence. Kryeministri nuk duhet të bëjë të paditurin, për faktin se nuk është një projekt i një njësie bashkiake.
Arrestimin e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos e konsideron si “kokë turku” pasi sipas tij këto personazhe i peshkoi Rama e më pas i hodhi lehtë.
Nard Ndoka: Unë i shoh si koka turku deri më tani, janë personazhe, të dorës së dytë, janë personazhe që Rama i hodhi me lehtësi, janë personazhe që edhe pjesën e karrierës të tyre politike e kanë pasur të përzier dhe të ndërlikuar. Ishin personazhe që Rama i peshkoi por dhe i hodhi lehtë.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
