"Njerëzit kanë harruar përse jetojnë", Hoxhë Ahmed Kalaja shpjegon kur Ramazani është i suksesshëm
Në prag të nisjes së Ramazanit ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ishin të ftuar Hoxhë Ahmed Kalaja, Hoxhë Vladimir Kera dhe Xhevdet Spahiu besimtar mysliman, mban agjërim prej 22 vitesh. Ramazani një muaj i cili është cilësuar si muaji i shpresës së madhe, begatisë e paqes.
“Synimi i Ramazanit nuk është vërtet të rrimë vetëm pa ngrënë dhe pa pirë, por mbi të gjitha të bëhemi njeri”, kështu u shprehur Hoxhë Kalaja në studio.
Më tej ai tha se Agjërimi ka mbetur një traditë shumë e rëndësishme në vendin tonë, ku ende respektohet nga masa.
“Njerëzit kanë harruar të jenë njerëz, është bërë çdo gjë material. Synimi kryesor i Ramazanit është që me Allahun dhe njerëzit të jemi në rregulltë, mos ti hyjmë në hak askujt. Çdo besimtarë kur Agjëron synon që ti falen gjynahet, apo të ketë mbarësi në jetë, por qëllimi i Ramazanit nuk është vetëm kjo, por të përmirësohemi në edukatën tonë. Agjërimi është mburojë, kur njerëzit janë agjërueshëm nuk duhet të ofendojnë dhe mbi të gjitha nuk duhet të ‘bërtasin”, u shpreh Kalaja.
Ndërsa, për Hoxhë Kerën, Ramazani mbahet me vullnet të plotë dhe jo nga impenjimi i të të tjerëve.
“Ramazani është një përvojë individuale, është një mundësi që vjen me vullnet të lirë dhe jo nga impenjimi që ta bën dikush. Por, është vullnet i lirë, që vjen nga vetja e rikthehet tek vetja. Duhet një motiv, por duhet hyjnorë dhe jo nga toka.
Agjërimi është një traditë që është për tu habitur, që vjen nga një traditë që ende ruhet tek ne në masë. Është Iftari, kur pyesim njerëzit nëse erdhi koha për ta çelur, është një emocion i veçantë. Unë vij nga një familje myslimane, dhe kam Agjëruar që i vogël, të Agjërosh do të thotë të bësh një përpjekje për tu lartësuar, kjo ka të bëj me anën shpirtërore dhe pasurimin vetjak, jo në aspektin e materialit”, u shpreh Kera.
Kurse Spahiu, u shpreh se “Agjërimi ma zbukuron akoma më mirë ditën, pasi zgjohesh herët për syfyr dhe e programon punën, ditën e axhendën e saj”. Më tej të ftuarit u ndalën në studio edhe në rikthimin e emisionit në RTV Ora “Kjo është koha”, ku Spahiu u ndal më tej duke treguar sesi lindi ideja.
“Ideja lindi në kohën e pandemisë, kur dolën udhëzimet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, për masat anti-Covid. Ku nuk lejoheshin më shumë se 2-3 individë bashkë. Në këtë moment menduam sesi të shkojmë dhe të jemi sa më afër njerëzve, jo fizikisht por, me mënyra të tjera. Në këtë aspekt lindi ideja e këtij emisioni “Kjo është koha”, bëhet fjalë në vitin 2020”, u shpreh Spahiu.
Ndërsa Kera tha se “të ftuarit do të vijn nga vende të ndryshme, nga trevat kudo ku ka shqiptarë”. Kujtojmë që më 2 prill nis muaji i shenjtë shumë i rëndësishëm për besimtarët myslimanë.
Ramazani konsiderohet si muaji i nëntë sipas kalendarit islam dhe zgjat 29 deri në 30 ditë. Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve myslimanë nga një sërë kënaqësish të kësaj bote por edhe nga të gjitha të këqijat, nga koha përpara agimit të ditës deri në perëndimin e dielli nga imsaku deri në aksham.
Gjatë këtij muaji të bekuar, besimtarët myslimanë do ta nisin agjërimin pas syfyrit e ngrëna para se të gdhirë, do ta përfundojnë atë me iftarin darka pas perëndimit dhe bashkë me jacinë do të falin edhe teravitë, një namaz i posaçëm i Ramazanit.
Gjatë Ramazanit në agjërim nuk lejohet të konsumosh asgjë, deri kur dielli perëndon. Në këtë orar, familjet uljen së bashku dhe ushqehen së bashku. Ramazani padiskutim që është periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet.
Në 10-të ditëshin e fundit të këtij muaji ndodhet edhe një nga netët më të shenjta Nata e Kadrit, dita kur ëngjëjt zbresin në tokë, në natën ku lutjet janë të shumta.

