Kandidaturat e mazhorancës për Bankën Qendrore, Agalliu: Të ketë gjithëpërfshirje, qeveria kërkon të kapë çdo pushtet

Deputeti demokrat, Arbi Agalliu ka dhënë një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, pasi grupi parlamentar i PD nuk mori pjesë në votimin e kandidaturave të mazhorancës për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

Ai kërkon që të ketë gjithëpërfshirje duke qenë se Banka Qëndrore është institucion i pavarur dhe duhet që të ruajë stabilitetin e ekonomisë në vend.

Agalliu tha se Mateo Spaho nga radhët e PD i plotëson të gjitha kriteret për të qenë  anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

Arbi Agalliu: Nuk po jepet një lloj dakordësie apo gjithëpërfshirje për të pasur, konsensusin nga të gjitha palët, pasi Banka Qëndrore është një institucion i pavarur që kërkon një lloj përfaqësimi sa më të gjerë.   PD nuk kërkon absolutisht një përfaqësues të saj, por kërkon një konsensus për emërimet që vendosen në këto institucione. Sepse janë institucione të pavarura dhe që duhet të ruajnë stabilitetin ekonomik në vend.

Duhet një gjithëpërfshirje e të gjithë aktorëve që i japin stabilitet bankës qendrore. Spaho i plotëson të gjitha kriteret. Nëse nuk i plotësonte të gjitha kriteret nuk do të vinte në seancën dëgjimore.

Ajo që kërkon PD është një lloj gjithëpërfshirje, sepse kjo qeveri ka kapur jo vetëm institucione të rëndësishme të pavarura por me këtë akt tregoi edhe njëherë se nuk heq dorë nga kapja e pushteteve.