Premtoi hedhjen në hapësirë të “Albania 1” në muajin mars, ku është sateliti i Ramës?

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në tetor 2021 pati premtuar se Shqipëria shumë shpejt do të ketë dy satelitë në orbitë.

Madje ai publikoi edhe një video në rrjetet sociale, ndërsa informohet nga një ekspert hapësinor për mënyrën se si lëshohen satelitët në hapësirë.

Sipas kryeministrit sateliti i parë shqiptar në hapësirë, “Albania 1” do të lëshohej në muajin mars, ndërsa i dyti në muajin qershor.

Rama deklaroi më 20 tetor 2021: Projekti i satelitëve është një projekt tjetër, ju keni dëgjuar dhe keni parë shumë gallatë dhe humor, nuk është keq që njerëzit të qeshin, por me satelitin që do të hedhim, të parin në muajin mars, do të kemi në dispozicion të dhëna në kohë reale përditë dhe Policia e Shtetit do të ketë në dispozicion të dhëna për ndërtime pa leje dhe nuk do të jetë e varur sesa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë.

Madje atëherë Kryeministri Edi Rama sqaroi para gazetarëve se nuk bëhej fjalë për kërkime shkencore në planetin Mars, por për vendosjen e kontrollit në territor.

Rama: Kini durim. Qeshni, sepse e qeshura shëndet është dhe u bën mirë të gjithëve. Shqipëria do ketë satelitë dhe do ti ketë shpejtë, për të forcuar kontrollin mbi territorin. Do ketë edhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër. Janë mjete të një teknologjie të re, që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, nga kufijtë, te ndërtimet, te monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave për luftën kundër trafiqeve, çuarjen deri në fund të përpjekjeve për të zëruar kultivimin e lëndëve narkotike, të mbjellat e bujqësisë, për të luftuar krimin e organizuar duket pasur kapacitete monitoruese.

E ndërsa jemi në ditën e fundit të marsit, jo vetëm satelitë shqiptarë nuk janë hedhur në orbitë, por kryeministri është duke folur për krizë dhe kursim.