Përplasja e bandave dhe krimi po na bëhen rutinë. Duhet të ndihemi të kërcënuar, thotë eksperti i sigurisë

Ekspert i sigurisë Ergys Muzhaqi, është shprehur se bota e krimit ka një vetorganizim perfekt përsa i përket gjurmimit apo ekzekutimit të kundërshtarit

Në një intervistë për Ora News, Muzhaqi shprehet se grupet kriminale nuk e përfillin punën policore, ndërsa shtoi se kjo e fundit duhet të jetë më e organizuar dhe më goditëse.

Ergys Muzhaqi: Besoj se një nga arsyet e rëndësishme për t’u përmendur është se bota e krimit, ka një vetë organizim goxha perfekt në vetvete, përsa i përket gjurmimit të kundërshtarit, ndjekjes, ekzekutimit etj. Në këtë rast janë aq efikas sa nuk e përfillin punën policore, e cila duhet të jetë më shumë goditëse. Nuk kemi vullnetin e mjaftueshëm politik për t’i kundërshtuar këto grupe kriminale të organizuar siç na duhet t’i kundërshtojmë.

Ai shprehet se shoqëria shqiptare është në luftë me botën e krimit.

Ergys Muzhaqi: Ne si shoqëri jemi në luftë me botën e krimit. Në rastet kur bota e krimit arrin në nivele të larta të sofistikimit, menjëherë strukturat policore rendin që t’i paraprijë. Kam përshtypjen që në vendin tonë nuk po funksionon ky lloj paralelizmi.

Ndër të tjera Muzhaqi theksoi se jemi në një situatë ku krimi i organizuar ka arritur nivele goxha të larta.

Ergys Muzhaqi: Është një situatë e rrezikshme, është një situatë ku krimi i organizuar ka arritur nivele goxha të larta, të organizimit, të funksionimit dhe përfitimit të tij. Është një situatë ku krimi është i lidhur ngushtë me politikën që drejton vendin. Duhet të ndjehemi të kërcënuar dhe një faktor që do më shqetësonte shumë është arritja e pandjeshmërisë publike. Përplasja e bandave, krimi po na bëhen rutinë. Nuk kemi ndjeshmëri sociale fare.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.