"Bllako e meriton ku shkoi", Berisha pyet në Kuvend: Po firma e Ramës dhe Agaçit për incineratorët?


Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama si organizatë kriminale, duke ju referuar aferës së incineratorëve.

Duke folur në Kuvend, Berisha tha se vjedhja është bërë në bashkëpunim, në kundërshtim me procedurat që përcakton ligji, me firma që vijnë nga maja e piramidës dhe zbresin deri në bazë.

Berisha tha se Bllako shkoi aty ku e meritonte, por kërkoi që përgjegjësi të mbajnë dhe Rama me Ëngjëll Agaçin.

Berisha: Kjo qeveri vepron dhe funksionon si një organizatë e vërtetë kriminale. Zhvillimet dramatike të javëve të fundit faktuan në mënyrë të pakundështueshme se qeveria nga kreu i saj te nëpunësit e thjeshtë të linjës kanë mbushur xhepat, valixhet, konton me qindra e qindra milionë euro në aferën e incineratorëve. Përpiqeni ti paraqisnin si raste të shkëputura por ju jeni një megaorganizatë kriminale. Vjedhja është bërë në bashkëpunim, në kundërshtim me procedurat që përcakton ligji, me firma që vijnë nga maja e piramidës dhe zbresin deri në bazë.

Vjedhja është bërë duke shpallur të ndërtuar objekte që nuk janë ndërtuar kurrë. Nëse penalizohen nga drejtësia 20 apo 30 zyrtarë, nëse ata të gjithë janë penalizuar se kanë kryer vepër penale duke përvetësuar fonde, nëse në bashkëpunim kanë arritur të realizojnë këtë vjedhje të pashembullt, po çfarë quhet organizatë? Apo duhet të jenë njerëz të thjeshtë që nuk kanë kravata dhe nuk pispillosen? Firmat e Bllakos, meriton atje ku shkoi.

Po firmat e Ëngjëll Agaçit, Edi Ramës që firmos prokurime me procedurë të mbyllur, që nuk e parashikon ligji. Si ka mundësi që një njeriu me 3,5, 10 kompani i jepni tender për 500 e ca milionë dollarë. Dje u paraqitën dokumenta që ai kishte marrë dhe 27 milionë dollarë të tjera për Vlorën nga OSHEE. Dhe ai shëtit i lirë. Ju vazhdoni ti disbursoni te kjo organizatë fondet sepse është e juaja, jeni vetë. Çfarë ka tjetër organizata kriminale, grupi i strukturuar kriminal? Nuk mund ta fshihni. Këtu është kriza, ky është themeli i krizës.