Daçiç: Pa Rusinë, ta harrojmë Kosovën. Prishtina, fëmija e Perëndimit
Kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se nëse nuk do të vijojë të ketë aleate Rusinë, Beogradi do ta ketë të vështirë që të rimarrë Kosovën, ai u ndal edhe te zgjedhjet 3 prllit të cilat nuk u lejuan të mbahen nga Kurti, duke fajësuar perëndimin.
Rusia është e vetmja aleate e Serbisë, e cila mund ta lërë Kosovën përjetë jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prandaj Beogradi nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për sulmin ndaj Ukrainës.
Kështu është shprehur kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç i cili shton se Kosova kurrë nuk do të njihet si shtet nga fqinji i saj verior dhe se Beogradi nuk do të anëtarësohet në NATO për shkak të bombardimeve të vitit ’99.
Daçiç: "Nëse jemi të gatshëm të heqim dorë nga Kosova, atëherë mund të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Si mund ta mbrojmë Kosovën pa një aleat. Ne besojmë se nuk duhet ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës dhe prandaj Rusia është aleatja e vetme që do të vendoste veton që Prishtina të mos anëtarësohet kurrë në OKB. Ne jemi kundër anëtarësimit në NATO, sepse ne jemi bombarduar nga ata."
Daçiç u ndal edhe te mos mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme serbe të 3 prillit në territorin e Kosovës.
Ai fajësoi perëndimin për mosmbajtjen e tyre dhe shtoi se Kurti nuk do t’ia dijë as për Marrëveshjen e Brukselit dhe as për ndërkombëtarët.
Daçiç: "Nëse Perëndimi nuk mund t'i bëjë asgjë Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë si mundet Serbia? Kjo nuk është një fitore e perëndimit, por nuk donim të shkaktonim incidente, pasi policia e Kosovës do të ndërhynte në veri dhe do të krijoheshin trazira, nga të cilat do të akuzohej Serbia. Ky është një shembull i qartë se Kurti nuk respekton as Marrëveshjen e Brukselit dhe as komunitetin ndërkombëtar."
Kryeparlamentari serb e quajti Prishtinën fëmijë të Bashkimit Evropian, pasi sipas tij nuk vendosi presion ndaj Kurtit njësoj siç bëri me Serbinë.
Daçiç:"Pse dikush nuk i thotë Prishtinës ose do të hapni qendrat e votimit për zgjedhjet serbe, ose do t’i jepni fund rrugës evropiane. Presioni më i madh është mbi ne. Pse?! Sepse Kosova është fëmija e tyre."

