Maqedonia e Veriut publikon rezultatet e regjistrimit të popullsisë: 30% e popullsisë shqiptarë
Maqedonia e Veriut ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021 ku shqiptarët zënë 29,5% të popullsisë, kundrejt 25% që ishte në censusin e fundit në vitin 2002. Problem përbëjnë bullgarët të cilët rezultojnë vetëm 3500 në shtetin fqinj.
Maqedonia e Veriut ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021 në të cilin shqiptarët rezultuan të ishin 29.5% e popullsisë së përgjithshme të vendit përfshirë ata që jetojnë jashtë të paktën për 1 vit.
Regjistrimi i popullsisë vjen pas 2 dekadash pauzë në Maqedoninë e Veriut.
I fundit është mbajtur në vitin 2002, në të cilin shqiptarët përbënin 25,17% të popullsisë prej 2 milionë e 22 mijë personash.
Ndërsa sot, shqiptarët përbëjnë 29,5% të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut dhe 24,3% janë banorë rezidentë në vend, ndërsa të tjerët jetojnë jashtë për të paktën 12 muaj.
Në total numri i popullsisë ka regjistruar një tkurrje me rreth 185 mijë persona në harkun e 20 viteve.
Maqedonasit përbëjnë sot 58,44% të popullsisë nga 64,17% në vitin 2002.
Censusi pritet të sjellë polemika dhe kontestime nga pala bullgare.
Të mërkurën kreu i Statistikave maqedonase tha se vetëm 3500 bullgarë janë regjistruar, ndërkohë që sipas pretendimeve të Sofjes mbi 70 mijë maqedonas kanë marrë pasaportë bullgare që prej vitit 2010.
Ndërsa sa i përket pakicave të tjera etnike shifrat janë pothuajse të njëjta me ato të 2002-shit.
Turqit përbëjnë 3,86% të popullsisë, romët 2,53% serbët 1,3%, boshnjakët 0,87% dhe vllahët 0,47%.







