SPAK kërkon arrestimin e deputetit socialist Bllako, Rama drekë pune me dy ministra e investitorë te vila 30

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një drekë pune me ministra dhe investitorë në vilën numër 30. Takimi përfundoi në 14:25.

Sakaq Ora News mëson se nesër në orën 17:00 do të mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste.

Zhvillimet vijnë pasi SPAK i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit ku i kërkon autorizimin për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako lidhur me aferën e incineratorit të Fierit.

Akuza e SPAK-ut për deputetin Bllako, i cili për periudhën për të cilën akuzohet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, është falsifikimi i dokumenteve për inceneratorin, veprim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me ish-ministrin e atëhershëm të Mjedisit, Lefter Koka.

Sipas SPAK, në veçanti, flitet për një ndryshim destinacioni për tokën ku u ndërtua inceneratori, që nga tokë arë u shndërrua në tokë truall, ku mund të ndërtohej.