Këlliçi: Do ketë tentativë për të ulur deputetët e PD para seancës, vetëm të bashkuar rrëzojmë Ramën

Në prag të seancës plenare të së enjtes, deputeti Belind Këlliçi deklaroi se do të ketë një tentativë për një mbledhje të përbashkët të gjithë deputetëve të kësaj partie.

Duke folur për gazetarët, ai tha se çështja e debatit të brendshëm në PD është ezauruar dhe objektivi kryesor i të votëbesuarve me votë duhet të jetë përballja dhe rrëzimi i qeverisë.

Këlliçi: Organi i vetëm sot legjitim në PD është grupi parlamentar i PD në Kuvend. Do të ketë një tentativë për të ulur të gjithë deputetët. Kam parë një reagim të zonjës Ina Zhupa ku bënte thirrje për tu mbledhur të gjithë deputetët dhe diskutuar hapur me njëri-tjetrin, më duket propozim interesant. Por ajo çka duhet të ndodhë është një orë e më parë deputetët e PD, të gjithë ata që janë votëbesuar për të qenë përballë Edi Ramës dhe kësaj qeverisje duhet të ulen me njëri-tjetrin për të gjetur mënyrën për të ecur përpara. E konsideroj të ezauruar debatin e brendshëm në PD, sigurisht dhe pas vendimit të gjykatës. Tani na mbetet vetëm një objektiv, përballja me qeverinë dhe rrëzimi i kësaj qeverie një orë e më parë. Këtë nuk e bëjmë dot vetëm, nuk e bëjmë dot të përçarë, por përkundrazi duhet të jemi të gjithë bashkë.