Tre kontratat koncesionare që trondisin qeverinë, ministra e deputetë
Kontratat e koncesioneve të mbetjeve edhe pse janë marrë në mbrojtje nga qeveria dhe mazhoranca, tashmë janë zbuluar nga SPAK me shkelje.
Epopeja e tyre ka nisur në vitin 2014 me 21.6 milionë euro të dhëna për Elbasanin, e më tej në Fier me 28 milionë euro dhe me shumën kolosale 128 milionë euro në Tiranë. Gjithcka është realizuar me tendera pa garë por me negocim të drejtpërdrejtë.
Pikënisja e incineratorëve, e cilësuar nga opozita si afera e shekullit, daton në shtator të vitit 2014 kur Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli emergjencën mjedisore për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Më dhjetor të këtij viti, kompania "Albtek Energy" fitoi një kontratë me vlerë 21.6 milionë euro nga qeveria shqiptare për ndërtimin e incineratorit. Për këtë procedurë qeveria nuk hapi garë. Shoqëria është e themeluar në korrik të 2014 dhe është nën pronësi të Stela Gugalljes, e cila është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas kontratës "Albtek Energy" ka fituar dhe të drejtën që të përfitojë pothuajse të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbetjeve dhe vetëm 2% do i kthehet Ministrisë së Energjisë. Por deri tani nuk ka një çmim të përcaktuar nga ERE. E njëjta histori ka ndodhur dhe me incineratorin e Fierit, kompania fituese e të cilës është “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier sh.p.k.
Kjo kompani me administrator shtetasin Loran Dusha konkurroi e vetme dhe u shpall fituese duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Pronari përfitues i kësaj kompanie është Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I njëjti emër është dhe në inceneratorin e Tiranës, i cili u dha si projekt koncesionar në vitin 2017 dhe fituese u shpall kompania ‘Integrated Energy BV SPV’. Investimi për këtë impiant kap vlerën e 128 milionë eurove dhe afati i koncesionit është 30 vjet.
Ndërkohë, impianti i trajtimit të mbetjeve nuk është ndërtuar ende edhe pse kompania ka marrë mbi 4.6 miliard lekë.
Ishte opozita ajo që denoncoi shkeljet e 3 kontratave koncensionare, të cilat deri tani i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 11.6 miliard lekë.
Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Kuvendi ngriti një komision hetimor për incineratorët, ndërkohë që me 14 dhjetor Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe shpalli në kërkim pronarët e kompanive.
Hetimi parlamentar i aferës së inceneratorëve ekspozoi një seri shkeljesh ligjore dhe abuzimesh me kontratat koncesionare që llogaritet t’u kushtojnë shqiptarëve rreth 430 milionë euro.
Komisioni hetimor doli me dy raporte të kundërta pas një hetimi 4-mujor, ku opozita në 120 faqet e saj pretendon se ka faktuar të gjitha akuzat e saj për grup të strukturuar kriminal, korrupsion për zyrtarë shtetërore dhe përfaqësues të kompanive që kanë përfituar këto kontrata.

