"Na grushtoi dhe sulmoi dy herë, në polici e njihnin”, rrëfehen motrat Ruko që u sulmuan nga i riu tek rruga e "Kavajës"
Në pjesën e fundit të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme u trajtua një ngjarje shumë e rëndë, një shqetësim i cili në fakt ka sjellë pasoja jo vetëm fizike për dy të reja, dy morat që u sulmuan dy ditë më parë nga një i ri i cili rezulton me probleme të shëndetit mendor. Problematik i denoncuar 8 herë në policinë e shtetit. Sërish ka dhunuar.
Të ftuar ishin dy motrat Mirela dhe Albina Ruko si dhe avokaten Bitilda Mehmeti, për tu ndalur pak tek ligji.
“Nuk do ta lëmë me kaq, kemi rënë në kontakt me persona të tjerë që janë dhunuar po nga i njëjti person dhe do e ndjekim më tej”, u shpreh e dhunuara Albina.
Më tej Albina rrëfeu ngjarjen sesi ranë pre e dhunës në rrugë, nga 30 vjeçari me probleme të shëndetit mendor.
“Po shkonim tek tregu unë edhe Mirela, dhe vjen Denisi përballë nesh dhe më sulmoi mua. Ndërkohë, Mirela po pyeste se çfarë po ndodh. Denisi përveçse më goditi, dhe ofendonte gjatë gjithë kohës. Fatmirësisht erdhën disa njerëz, kalimtarë të rrugës të cilët na ndihmuan. Telefonuam policinë tre herë rradhazi edhe nuk patëm asnjë reagim nga ata, nuk u përgjigjën fare”, rrëfeu Albina.
Ndërsa, e dhunuara tjetër Mirela, tregoi komunikimin që kanë pasur me Policinë e Shtetit.
“Policët ishin të nevrikosur dhe shpreheshin që ne e kemi bërë punën tonë. Por, nga ana tjetër aty u acarova më shumë, sepse sapo panë fotografinë u shprehën se po ai është Denisi dhe personi që ka dhunuar edhe të tjerë. Në këtë rast, thash me vete si mund të luaj i lirshëm ky person në qytet”, tha Mirela.
Ndalur më pas tek ligji dhe rrugës ligjore, avokatia Mehmeti u shpreh se në qoftë se qëndrojnë edhe 8 akuza të tjera për rastin e 30 vjeçarit, prokuroria duhet të kishte marrë masa, pasi sipas saj nuk mund reagojmë vetëm kur të ketë viktima.
“Normalisht që prokuroria duhet të kishte marr masa, sepse për këtë rast bëhet fjalë edhe për dhunime të tjera. Ne nuk mund të presim vetëm kur të ketë viktima, pasi unë nga pamjet filmike pashë që vajza është goditur rëndë në kokë. Nga akti i ekspertizës rezulton që ky individ është apo jo me probleme të shëndetit mendor, dhe në bazë të kësaj bëhet edhe hospitalizimi i tij.
Në këtë rast janë dy alternativa, shtrimi në spitalin psikiatrik ose ambulator. Pastaj, kemi edhe burgun e Krujës ku janë të burgosurit me probleme të shëndetit mendor, por mesa jam unë në dijeni atje janë më shumë sesa kapaciteti i mundshëm. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, nuk mund të qarkullojnë lirshëm në rrugë këta persona që kanë probleme të shëndetit mendor”, u shpreh Mehmeti.
Gjithashtu të shumta janë rastet e dhunës apo vrasjeve makabre të kryera nga persona me probleme të shëndetit mendor jo vetëm në vendin tonë por edhe në botë. Sipas të dhënave të raportit botëror të shëndetit, çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin mbi 25 për qind të të gjithë njerëzve gjatë jetës të tyre.
Ato janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive, individët e të gjitha moshave, gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfrit, nga zonat qytetare apo fshatare.
