Tiranë, ushtronte lojëra fati përmes telefonit, prangoset 37-vjeçari

Vijon operacioni policor i koduar "Fati i lojërave" ku është goditur një tjetër rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Arrestohet në flagrancë 37-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari, i cili gjatë kontrollit fizik, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë. 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi: E. M., 37 vjeç, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik". Ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të celularit, në rrugën "Tom Plezha", dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.” – njofton policia.


     

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".