Gripi i shpendëve mbërrin në Vlorë, pata me virus infektoi pulat, mbyllet tregu i Novoselës
Gripi i shpendëve mbërrin në qarkun e Vlorës. Në 24 orët e fundit është shfaqur një vatër e re e sëmundjes në fshatin Aliban të Njësisë Administrative të Novoselës.
Ora News mëson se fillimisht ka rezultuar pozitive një patë, e cila më pas ka infektuar disa pula të dy vëllezërve në Aliban.
"Në 24 orët e fundit kemi një rast të ri të konfirmruar, Kemi një vatër të re infeksioni në qarkun Vlorë. Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit. Vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara. Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius" bëri me dije zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi.
Deri tani nuk ka shpendë të ngordhur. Pulat e infektuara po mbahen në karantinim.
Ndërkohë është dhënë urdhër për mbylljen e tregut pranë Novoselës, i cili hapet çdo të enjte.
Deri tani raste me grip shpendësh ishin regjistruar në Durrës, Korçë, Dibër e Divjakë.

