Baçi: PD në moment historik. Partinë e kemi drejtuar që pas 11 dhjetorit. Të hapen zyrat në rrethe
Deputeti i PD, Luan Baçi shprehet se partia ndodhet në një moment historik.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Sonila Musai, Baçi teksa ka folur për situatën në PD, tha se vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen dhe jo të diskutohen.
Ai tha se Komisioni i Rithemelimit, e ka drejtuar PD që pas Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, dhe sipas tij edhe po të kishte një vendim të kundërt të Gjykatës asgjë nuk do të ndryshonte.
Luan Baçi: Jemi në një moment historik të PD. PD ishte në një situatë të pazakontë. Konflikti ka qenë mes Bashës që nuk lëshonte karrigen dhe bazën. Vendimet e Gjykatës nuk kontestohen ato zbatohen. Mendoj se komandimi që është bërë nga Basha është i jashtëligjshëm. Vendimet e Kuvendit të 11 duhet të zbatohen. Gjykata regjistroi se ky Kuvend është i rregullt, është i ligjshëm. Ne e kemi drejtuar PD që pas 11 dhjetorit, pavarësisht se Gjykata nuk e kishte regjistruar statutin. Edhe sikur Gjykata të merrte vendim tjetër, ne punën do e vazhdonim. Regjistrimi që bëri Gjykata, i dha hapësirën e duhur PD. Pamë që largimi i Bashës nga zyra ishte nga vendimet e 11 dhjetorit, Basha nuk dha dorëheqjen. Basha zbatoi vetëm vendimin.
Baçi tha se në PD, po kthehet normaliteti, ndërsa u ka bërë thirrje dhe kryetarëve të rretheve që të lirojnë zyrat, pasi demokratët po zhvillojnë mbledhje në ambiente private.
Luan Baçi: Tashmë po kthehet normaliteti në PD. Edhe në selinë blu po edhe në rrethe. Ne takimet po i vazhdojmë në ambiente private. Akoma nuk po reflektojnë që të lëshojnë godinat e rretheve, për t’I hapur. Ato zyra janë të anëtarësisë. Ne jemi të përkohshëm. Gjej rastin që t’ju bëj ftesë drejtuesve të rretheve të cilët janë të komanduar, duhet të hapin zyrat. Duhet të lejojnë demokratët të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Basha nuk është armiku jonë, është deputet i PD.
Ka qenë kryetar prej 8 vitesh dhe ne kemi bashkëpunuar me ta. Basha duhet të ndikojë te ata kryetarë që ka emëruar që të hapin zyrat dhe të vazhdojë procesi zgjedhor.
Komisioni I Rithemelimit drejton PD deri në 30 prill, ku do të mbahen dhe zgjedhjet.
