Investitorët e “nënës e njerkës”! Italianja në Radhimë: IKMT po shkel procedurat, nuk jemi kundër ligjit
Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit nisi të hënën shembjet në disa objekte në zonë e Radhimës. Aksioni u kundërshtua nga pronarët e objekteve, të cilët thanë se nuk janë kundër ligjit, por kundër procedurave selektive që po ndjekin institucionet.
Të preferuarit e qeverisë po shpallen si investitorë strategjikë duke marrë qindra metra tokë në bregdet, por investitorët e huaj nuk po priten aq mirë.
Mariana Carrillo, ka marrë me qira një hotel në zonën turistike të Radhimës, por të hënën para tij nuk u paraqitën turistë, por mjetet e IKMT dhe policisë.
Ajo doli para kamerave duke qarë, ndërsa në objekt një familje nuk pranonte që të dilte jashtë nëse aksioni nuk ndërpritet. Objekti cilësohet ndërtim pa leje, ndërsa sipas përfaqësueses ligjore të investitores italiane , autoritetet kanë bërë një sërë shkeljesh.
“Nuk është se jam dakord si avokate për ndërtimet pa leje, patjetër që shteti ka të drejtën që të ndërhyjë, por ideja është që të vazhdojë sipas një procedure të ligjshme, e aq më tepër kur kemi të bëjmë me marrëdhënie dy paleshe, me shtetas italianë që kemi marrëdhënie miqësore, dhe do të donim që dhe shtetasit shqiptarë të trajtohen në mënyrë të respektuar ashtu siç duam ne të na trajtojnë shtetasit italianë."
Të tjerë pronarë objektesh në listë për tu shembur, u përballën me forcat e ndërhyrjes së shpejtë që kishin shkuar në ndihmë të IKMT.
Me lot në sy ata e kundërshtuan shemben e bizneseve të tyre.
“Më rrëqethet mishi. Ku do vej. Ik mbytu në det.”
Të paktën 10 objekte, bare, hotele e restorante që janë të planifikuara për tu shembur në Radhime, ndërsa operacioni po zhvillohet në kaudër të aksionit “bregdeti ynë”.


